Arritja historike në vazon e 4-t nuk është rastësi, Riza shpjegon strategjinë e Federatës për futbollin e femrave

Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar të femrave, ekipi ynë Kombëtar është ngjitur në vazon e katërt, duke u renditur tanimë në ekipet e nivelit mesatar në Europë. Nuk është aspak rastësi, pasi e gjithë puna e kryer nga Federata e Futbollit po del në pah jo vetëm nga ngjitja e Shqipërisë në vazon e katërt, por edhe nga paraqitjet mjaft të mira të ekipit të Vllaznisë në Europë.

Pavarësisht faktit se deri para pak vitesh, ekipi ynë Kombëtar konsideronte si rivale të vetme të saj fqinjët përreth, tashmë, me mbështetjen dhe incentivimin që po i jepet futbollit të femrave në tërësi nga Federata e Futbollit, shikimi shkon përtej, duke synuar jo vetëm që Shqipëria të dalë e barabartë në fushë me Holandën, Francën, Gjermaninë, etj., por edhe klubet të përballen në mënyrë të barabartë me ekipet e kampionateve të këtyre shteteve.

Strategjia e ndërtuar për futbollin e femrave ka në thelb të saj masivizimin e futbollit të femrave, duke incentivuar financiarisht futbollin e femrave që në bazë dhe deri në kampionatin elitë.

Edhe pse është ende herët, puna ka filluar të duket. Në këtë sezon në futbollin e femrave, vëmë re krijimin e tre ekipeve të reja, Tirana, Partizani dhe Lushnja, duke sjellë një numër edhe më të lartë femrash në futboll, të cilat tashmë nuk e shohin futbollin më veç si një lojë, por edhe si burim të ardhurash.

Federata e Futbollit ka menduar jo vetëm të organizojë bazën e futbollit të femrave, kampionatet U-13 apo kampionatin e shkollave 9-vjeçare, por edhe t’i incentivojë ato financiarisht, përpos incentivimit të kampionatit elitë të femrave.

Për të folur mbi zhvillimin e futbollit të femrave, fshf.org ka realizuar një intervistë me Përgjegjësin e Sektorit të Futbollit të Femrave në Federatën Shqiptare të Futbollit, Florian Riza, i cili shpjegon më në detaje strategjinë e ndërtuar, funksionimin si dhe zhvillimin deri më tani të futbollit të femrave.

Ngjitja e Kombëtares në vazon e 4-t– “Futbolli ynë i femrave, sidomos ekipi Kombëtar ka një zhvillim të dukshëm. Në vitet e para të krijimit të ekipit Kombëtar, ne kemi qenë rivalë të denjë të ekipeve përreth Shqipërisë siç janë Maqedonia, Kosova, Greqia dhe Mali i Zi. Tashmë kemi kaluar në një nivel tjetër, kemi kaluar në nivelin e ekipeve mesatare, renditemi të 33-tët në Europë sa i përket futbollit të femrave. Besojmë se duke stimuluar financiarisht futbollin e femrave, ne do të arrijmë objektivat që kemi vendosur apo do të ndryshojmë edhe vazon e katërt dhe besoj se do t’ia arrijmë brenda eliminatoreve të Kampionatit Botëror, duke shkuar tek e treta”, – thotë Riza.

Zhvillimi i futbollit të femrave– “Rezultatet nuk vijnë rastësisht. Ekipi ynë Kombëtar mbështetet plotësisht tek ekipi i Vllaznisë së Shkodrës, që ka bërë paraqitje dinjitoze në Champions League për femra, qoftë në sezonin e shkuar, qoftë në këtë sezon, duke u renditur në 32 ekipet më të mira në Europë më herët dhe në sezonin e kaluar duke kaluar raunde. Edhe me ekipet Kombëtare të moshave, U-16, U-17 dhe U-19 kemi bërë paraqitje të mira. Edhe në turneun e zhvilluar nga UEFA vitin e kaluar në Shqipëri, ekipi i 16 vjeçareve bëri paraqitje të shkëlqyer, duke u renditur e para në grup me pikë të plota. Kjo tregon zhvillim dhe tregon se ne po ecim në rrugën e duhur. Në një të ardhme shumë të afërt, unë besoj se ekipi ynë Kombëtar do të jetë një konkurrent i denjë edhe për nivelet mbi mesatar të futbollit të femrave”, – vijon Florian Riza për fshf.org.

Incentivimi & strategjia e futbollit të femrave– “Kemi bërë një skemë të incentivimit të futbollit të femrave, për herë të parë e aplikuar në këtë formë dhe e miratuar plotësisht nga Komiteti Ekzekutiv dhe UEFA. Po financohet masivisht për futbollin e femrave dhe flasim për një rritje financiare mbi 200%. Këto bëhen vetëm që futbolli i femrave të njohë rritje të vazhdueshme dhe të gjithë klubet e futbollit në Shqipëri të kenë të qartë që futbolli i femrave është një sport për t’u zhvilluar, për t’u investuar, për t’u parë njësoj si futbolli i meshkujve.

Për herë të parë, FSHF ka hartuar dhe miratuar strategjinë e futbollit të femrave, që do ta udhëheqë  futbollin e femrave në pesë vitet e ardhshme. Federata e Futbollit ka organizuar dhe financuar kampionate të tilla si: kampionati për femra nën 15 vjeç. Në vitin e ardhshëm synojmë të krijojmë kampionatin për femra nën 16 vjeç, më tej nën 17 vjeç e me radhë. Ndërkohë, nga i gjithë investimi në bazën e futbollit të femrave, për moshat 12-13 vjeç, kemi organizuar kampionate rajonale amatore për femra dhe kampionate në rreth 60 shkolla 9-vjeçare dhe synojmë që në vitet të ardhshme të arrijmë në krijimin e 100 ekipeve në shkollat 9-vjeçare. Kjo kërkon shumë punë dhe shumë angazhim. Është vetëm fillimi, pasi nuk duhet të harrojmë se kemi qenë në periudhë pandemie dhe është shumë e vështirë, që organizimi të jetë perfekt, por besoj se me kalimin e kësaj periudhe të vështirë, futbolli i femrave do të ecë në rrugën e duhur.

Në strategjinë e futbollit të femrave kemi punuar në dy linja: në evidentimin dhe incentivimin e futbollit elitë për femra, pra të ekipeve aktuale për femra dhe nga ana tjetër, kemi incentivuar edhe bazën e futbollit të femrave, pra ekipet e shkollave, ekipet për femra U-13, ekipet për femra U-15”, – përfundon Riza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online