Partizani në derbi me Alban Hoxhën në fushë. Një lëvizje që i surprizoi jo pak rivalët e Tiranës. Kjo edhe për faktin se në ditët përpara ndeshjes, u krijua ideja se klubi dhe trajneri Skënder Gega do të “ndëshkonin” portierin, pas shoqërimit në polici, me akuzën e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit.
Por, në ditën e fundit të grumbullimit, situata ndryshoi. Te Partizani vendosën të mos humbisnin një prej pikave të forta të skuadrës, në një ndeshje që duhej fituar me patjetër. Kjo edhe prej detajeve të mësuara nga drejtuesit e klubit, rreth ngjarjes së fundjavës së kaluar.
Sipas burimeve pranë ekipit të kuq, “SportEkspres” mëson se shoqërimi i kapitenit ishte një skenar i përgatitur nga rivalët e kryeqytetit. Dikush pranë ambientit të mediave sportive, që njihet si mbështetës dhe për lidhjet e afërta me klubin e Tiranës, sinjalizoi policinë për ndalimin e Alban Hoxhës.
Në momentin kur lojtari i Kombëtares u largua nga lokali ku ishte me miqtë e afërt dhe po kthehej në shtëpi, një telefonatë anonime, për një drejtues mjeti në gjendje të dehur, solli edhe ndalimin e lojtarit. Numri 12 i Partizanit nuk e kaloi dot testin e alkoolit – ky është mëkati për të cilën pagoi faturën e heqjes së shiritit – dhe qëndroi për 72 orë në qelitë e paraburgimit, deri në vendimin e gjykatës.
Në fund, Alban Hoxha rifitoi lirinë dhe ndaj tij është dhënë masa “detyrim paraqitje”. Partizani rrezikoi t’a humbiste yllin e ekipit në derbi, por pasi mësuan prapaskenat e asaj që ndodhi, drejtuesit e klubit dhe trajneri Gega i befasuan rivalët. Portieri luajti në derbi, të kuqtë festuan fitoren dhe vazhdojnë të kryesojnë kampionatin.