Antoni Modeste është një futbollist me histori të çuditshme, sepse në dy sezone në Këln, 2015-2017, realizoi 40 gola në Bundesligë, shifra që do i hapnin rrugën për ekipe elitë në Gjermani e jashtë saj. Megjithatë, sulmuesi francez zgjodhi Kinën dhe pas një periudhe mbushur me polemika me klubin gjerman, u arrit marrëveshja, që çuditërisht ishte huazim, pa terma financiare të zbuluar.
Tani, Modeste është kthyer në Gjermani, pas një viti në Kinë, ku mbushi xhepat por u largua në mënyrë misterioze, duke prishur kontratën në mënyrë të njëanshme, sepse nuk u pagua në kohë muajt e fundit.
Prej nëntorit Këln e ka përfshirë në ekip dhe e ka nën kontratë deri në 2023, por me një kleçkë. Për shkak se çështja në klubin kinez Tianxhin Kuanxhian është në FIFA, Modeste nuk federohet dot.
Për pasojë Këlni nuk e paguan dhe sipas marrëveshjes, Modeste humbet 4000 euro në ditë. Kjo për shkak se e ka pagën rreth 120 mijë euro në muaj, për sa kohë Këlni luan në Bundesligën 2. Kur të kthehet në Bundesligën 1, Modeste do paguhet 3.5 milionë euro në sezon.