Armand Duka shfaqet krah presidentit të UEFA-s, ishte momenti kur hidhej shorti për Egnatian

Presidenti i FSHF-së dhe njëkohësisht zv/presidenti i UEFA-s, Armand Duka, ka qenë i pranishëm në Monako në ceremoninë e hedhjes së shortit të UEFA Conference League, ku Egnatia mësoi kundërshtarët e saj në fazën e ligës.

Duka u shfaq krah presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, në një moment të rëndësishëm për futbollin shqiptar. Kreu i FSHF-së nuk e fshehu krenarinë për suksesin e klubit rrogozhinas, duke përcjellë një mesazh special pas shortit.

“Me krenari të veçantë ndoqa sot shortin e UEFA Conference League! Për herë të parë në histori, një klub shqiptar mes klubeve të Conference League! Një arritje e jashtëzakonshme për Egnatian dhe futbollin shqiptar! Urimet e mia dhe shumë suksese në Europë”, shkroi Duka.

Kjo është një arritje historike për Egnatian, pasi klubi nga Rrogozhina bëhet skuadra e parë nga kampionati shqiptar që siguron pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League.

Egnatia tashmë përgatitet për një tjetër aventurë europiane, me synimin për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Për futbollin shqiptar, kjo pjesëmarrje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në rritjen e klubeve në kompeticionet europiane. /Sport Ekspres/