Kombëtarja shqiptare U-16 ka përfunduar ditën e sotme grumbullimin stërvitor në kompleksin Tropikal në prag të turneut ndërkombëtar “Vlatko Markovi?”. Kuqezinjtë e vegjël janë nisur për turneun që zhvillohet në Kroaci nga datat 4-9 maj 2021, me kuqezinjtë që janë pjesë e Grupit B bashkë me Rusinë, Bosnjë & Hercegovinën dhe Lituaninë.
Përpara nisjes për fshf.org kanë folur dy mesfushorët kuqezi, Frensi Iftica dhe Ariel Isufi. Me Ifticën që është prodhim i akademive shqiptare, që janë dhe prioritet për ekipet tona kombëtare, duke parë punën e madhe që bëhet nga Përfaqësueset Rajonale deri te seleksionimet me elementët më cilësorë, ndërsa Isufi vjen nga Italia.
Në këtë grumbullim të Kombëtares U-16, pjesa dërrmuese e skuadrës përbëhet nga elementë të kampionatit tonë, siç është Frensi Iftica, 15 vjeçari i Skëndërbeut. “Kur mora ftesën isha në stërvitje dhe sapo përfundova shkova në shtëpi dhe lajmin e ndava me familjarët të cilët ashtu si unë u emocionuan shumë. Unë kam qenë i grumbulluar edhe më parë me ekipet kombëtare, i njoh pothuajse të gjithë çunat sepse i kam pasur përballë në ndeshjet që kemi luajtur me ekipet tona. Besoj se jemi një ekip me shumë vlera dhe do të shfaqim më të mirën tonë në Kroaci.
Objektivat e mi janë të qartë, dua të punoj çdo ditë fort për t’u bërë një futbollist profesionist dhe të realizoj ëndrrat e mia, një ndër të cilat është të luajë për Kombëtaren time. Unë luaj si sulmues ose lojtar krahu dhe në Kombëtaren shqiptare më pëlqen Keidi Bare, gjithashtu admiroj dhe Lionel Mesin. Do të punoj fort për të arritur ëndrrën time dhe të ndjek shembullin e lojtarëve që përmenda më sipër”, u shpreh Iftica.
Pjesë e këtij grumbullimi është edhe Ariel Isufi, i cili vjen nga Italia ku aktivizohet me skuadrën e Peskarës, dhe vjen për herë të parë me Kombëtaren shqiptare. “Për mua është hera e parë që vij në Kombëtare. Fola me prindërit e mi, i tregova dhe shokëve, kisha shumë emocione. E kam ndjekur Kombëtaren nga televizori kur luante dhe jam shumë i gëzuar që jam këtu. Ëndrra ime është të arrij në Serie A dhe për këtë duhet të impenjohem shumë duke bërë stërvitje intensive përditë. Mua më pëlqen Kevin De Bruyne dhe për të arritur ato nivele duhet të stërvitem shumë. Duke u stërvitur shumë, mund të arrij shumë lart.
Turneu i Kroacisë? Të gjithë bashkë duhet të japim maksimumin për të arritur më të mirën. Unë e kam ndjekur Kombëtaren shqiptare dhe më jep shumë emocione gjithmonë sepse është origjina ime dhe e prindërve të mi”- përfundoi mesfushori 15 vjeçar rrëfimin e tij.