Argjentina fiton klasiken me Brazilin, Sampaoli debuton me sherr me Higuainin

Trajneri i ri i Argjentinës, Horge Sampaoli e ka nisur mbarë aventurën e tij në krye të “Albiçelestëve”, duke mundur në debutimin e tij as më shumë e as më pak por Brazilin 5 herë kampion bote. Në takimin e luajtur në Melburn të Australisë në prani në mbi 95 mijë spektatorëve fatin e takimit e ka vendosur një gol i Gabriel Merkados në fundin e pjesës së parë. Argjentina ka luajtur më mirë në pjesën e parë, teksa në pjesën e dytë është vënë në vështirësi të mëdha nga Brazili, që në këtë pjesë ka goditur dy herë shtyllën në pak sekonda me Gabriel Zhezus dhe Uillian. Treshja e sulmit të Argjentinës, Mesi-Higuain-Dibala nuk duket në fushë.

 

Sampaoli e nis me sherr me Higuainin

Sulmuesi i Argjentinës dhe i Juventusit në Serinë A, Gonzalo Higuain ka nisur pushimet pas miqësores së fituar kundër Brazilit në Melburn. Sulmuesi e ka nisur titullar, por nuk ka bërë një ndeshje të mirë dhe trajneri Sampaoli e ka zëvendësuar në fillimin e pjesës së dytë. Vendimi i Sampaolit për ta ulur në stol Higuainin ka habitur jo pak dhe i ka dënë shkëndija debatit të parë në shtëpinë “Albiçeleste”. Mediat argjentinase kanë bërë me dije se “Pipita” nuk ka qëndruar as në stol dhe është larguar, teksa nuk do të udhëtojë me ekipin në Singapor, ku Argjentina do të zhvillojë një tjetër miqësore të martën e ardhshme. Ky detaj nuk i ka shpëtuar medieve argjentinase, që e kanë pyetur dy herë trajnerin Sampaoli pas ndeshjes për atë çfarë ndodhi me Higuainin. Ish-trajneri i Seviljes është munduar ta kalojë pa polemika këtë incident, duke nënvizuar se Higuain është i lodhur nga Liga e Kampioneve dhe se ekipi kërkonte më shumë intensitet në lojë. Gjithsesi fërkimet e para kanë nisur dhe të tjera zhvillime priten.

E premte 9 qershor 2017 “Melbourne Cricket Ground”, Australi

Brazil – Argjentinë  0-1

Shënues: Merkado 44’

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *