Sot paradite kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka inspektuar punimet në stadiumin e ri “Arena Kombëtare”, ndërtuar mbi rrënojat e legjendarit “Qemal Stafa”. Sipas parashikimeve, “Arena” do të jetë gati për vjeshtën e vitit 2018, diçka që e ka përforcuar sërish Duka: “Jemi të lumtur si po ecin punimet dhe në fund të vitit 2018 do të jetë gati për të pritur ndeshjet. Nuk e fituam të drejtën e organizimit të Superkupës 2019 për faktin se kishim vetëm një projekt në letër. Stadiumi do të jetë shumë i bukur, një vepër e madhe për sportin shqiptar, më e rëndësishmja në Shqipëri, një pasuri e madhe për futbollin”.
Ndërkaq, për mediat ka folur edhe arkitekti Marko Kazamonti: “Jemi të lumtur me ecurinë e punimeve, është një vepër e bukur. Do të jetë një kënaqësi për çdo tifoz të ndjekë ndeshjet në një stadium krejtësisht të mbuluar dhe me mundësinë për të qenë shumë pranë fushës. Do të jetë si një teatër”.