Sulmuesi vlonjat thekson se ecuria është mjaft e mirë dhe janë të gjitha mundësitë për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe për të shkuar në Europë
Elton Nika
Flamurtari ka shënuar dy herë ndaj Lushnjës dhe ka marrë një trepikësh, që e mban ne vend të dytë. Flamurtari është në një moment shumë të mirë, pasi në këtë pikë të sezonit e sheh veten në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë dhe pas Skënderbeut kryesues në kampionat, që do të thotë se Europa mund të sigurohet nga të dy kompeticionet. Strategjia e këtij sezoni, pa deklaruar objektiva madhorë, duket se ka pasur efektin e vet pozitiv dhe vlonjatët janë brenda pritshmërive. Megjithatë, duhet shumë kujdes në vazhdim, në mënyrë që të mos hidhet poshtë kjo ecuri kaq e mirë deri tani.
HOXHAJ – Vlonjati Ardit Hoxhaj, i cili luajti titullar ndaj Lushnjës, vlerëson fitoren, pavarësisht se skuadra vuajti pak, por kërkon që skuadra të ruajë këtë ecuri në kampionat dhe të synojë fort fitimin e Kupës së Shqipërisë. Nëse ndodh kështu, sezoni i Flamurtarit do të ishte mjaft pozitiv me një trofe të fituar dhe me rikthimin në Kupat e Europës. “Fitorja me Lushnjën nuk ishte aspak e lehtë, por shumë e rëndësishme për ecurinë tonë të mëtejshme në kampionat. Na mban në vend të dytë dhe mendoj se ka qenë një javë pozitive për ne, pasi jemi kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, duke kaluar Partizanin. Fitorja me Lushnjën na jep qetësi dhe besim për të vazhduar me këtë ecuri. E dinim që në fillim se pavarësisht vendit në klasifikim, Lushnja do të na hapte punë. Kemi pasur presionin e fitores, pasi kërkoheshin vetëm tri pikët, megjithatë mendoj se zhvilluam një lojë mjaft të mirë. Vështirësia erdhi edhe për faktin se kundërshtari qëndronte i mbyllur në mbrojtje. Kemi pasur raste mjaft të mira gjatë pjesës së parë, kur kemi goditur edhe shtyllën. Kemi shënuar me vonesë, por rëndësi ka fitorja. Loja ishte e mirë dhe kemi marrë atë që kemi merituar në fushë”, – ka theksuar fillimisht Hoxhaj për “Sport Ekspres”.
TEUTA – Futbollisti vlonjat ka folur më tej edhe për transfertën e Durrësit: “Kemi përpara ndeshjen me Teutën, që e konsideroj më të vështirën në këtë fazë të kampionatit, për vetë pozitat në klasifikim që ka kundërshtari. Për ata është ndoshta një ndeshje për “jetë a vdekje”, siç quhet rëndom. Nga ana jonë do të ketë vlerësimin maksimal dhe pavarësisht shkallës së vështirësisë, them se do ta kalojmë me sukses”.
EUROPA – “Ku mund të arrijë ky Flamurtar? Jemi në garë në të dy kompeticionet, kampionat dhe Kupën e Shqipërisë, por të shohim vetëm ndeshjen e radhës. Ecuria padyshim që ka qenë e mirë dhe merita është e të gjithë çunave të ekipit. Jemi një grup shumë i mirë, që kemi mbi të gjitha harmoni dhe kalojmë mjaft mirë me njëri-tjetrin. Merita i takon trajnerit Duro dhe presidencës, që na ka qëndruar afër. Kupat e Europës mendoj se janë të realizueshme, por besoj se mund të fitojmë kupën dhe të sjellim trofeun në Vlorë. Nëse ia dalim të fitojmë kupën dhe të shkojmë në Europë, do të ishte diçka vërtet e bukur për Flamurtarin dhe Vlorën”, – ka përfunduar sulmuesi Ardit Hoxhaj.