Ard Mema: Atmosfera super, ky Skënderbe nuk ka kufij!

Për herë të parë flet për gazetën “tironci” i skuadrës korçare, ndihmësi i Dajës. Ardian Memës i pëlqen të flasë më shumë me punën e tij, pak i pëlqen media

Leonard Trebicka

Asnjëherë nuk kishte folur qoftë edhe një fjalë zv/trajneri i Skënderbeut, Ardian Mema. Kur trajneri Daja pranoi ofertën e korçarëve, preferoi të merrte me vete edhe Ard Memën, përveç Gentjan Liçit dhe Ilir Bozhiqit. Mema është fjalëpak, por punon shumë. Ai është aktiv në çdo moment te Skënderbeu dhe në këto ndeshje europiane ka provuar emocione të mëdha. Dje, për herë të parë Ard Mema ka folur ekskluzivisht për “Sport Ekspres”, duke deklaruar me bindje se ky Skënderbe shkon larg. Ndihmësi i Dajës flete dhe për përgatitjet e ndeshjes me Dinamon e Zagrebit.

ATMOSFERA – Ka veçuar të parën atmosfera në qytetin e Korçës, duke e quajtur vërtet shumë pozitive: “Nuk ka si të mos e veçoj atmosferën, që është shumë e zjarrtë. Kjo është një anë shumë pozitive për skuadrën. Kjo atmosferë ndihet jo vetëm në stërvitje, por edhe jashtë saj. Në të gjitha rrugët e qytetit flitet vetëm për Skënderbeun dhe po na mbështesin vërtet shumë. Një numër po i madh tifozësh na ndjekin në stërvitje dhe kjo bën të rritet më shumë përgjegjësia përpara një ndeshjeje, siç është kjo është kjo ndaj Dinamos së Zagrebit. Në asnjë skuadër tjetër nuk e kam parë këtë atmosferë. Ky qytet meriton vërtet shumë dhe ky Skënderbeu meriton po kaq shumë të shkojë larg në Europë.”

GJENDJA – Përveç anëve pozitive, Mema flet dhe për gjendjen e skuadrës dhe dëmtimet e lehta, që kanë pasur disa lojtarë: “Po, kemi pasur disa shqetësime në skuadër, sidomos një ditë më parë, por sot (dje) të gjithë janë në stërvitje. Trajneri Daja dhe ne kemi qenë të shqetësuar. Kanë qenë Jashanica, Mici, Latifi, Lilaj dhe Xhejms me probleme, por na gëzon fakti që të gjithë janë kthyer në stërvitje. Sigurisht, gjëra të tilla ndodhin, pasi kemi bërë një rrugë të gjatë, nuk kemi pushuar në asnjë moment, por me grupin e plotë jemi më të qetë”.

DINAMO E ZAGREBIT – Mema ka dhënë komentin e tij edhe për kundërshtarin e radhës: “Dua ta nis me diçka, që vura re në nisjen e stërvitjes. Lojtarët ishin shumë euforikë, pasi kishin eliminuar Mladën dhe menjëherë ne si staf drejtues këmbëngulëm shumë që ata të jenë me “këmbë në tokë”. Ua kërkuam me ngulm dhe forcë një gjë të tillë lojtarëve dhe sot gjithçka është kthyer si më parë. Sa për kundërshtarin, Dinamo e Zagrebit është një ekip shumë i fortë, me kualitete të shumta. Besoj shumë se do ta përballojmë më së miri këtë emër dhe do të jemi konkurrues të denjë. Duhet të kemi shumë kujdes, sidomos ndeshjen e parë në Zagreb, pasi nëse atje marrim një rezultat pozitiv, në kthim kemi shanse më të mëdha për të kaluar në grupe. Sido që të rrjedhin ngjarjet, ju them se kjo skuadër nuk ka limite. Parashikimi im patjetër që do të dalë”, – ka përfunduar zv/trajneri i Skënderbeut, Ardian Mema.    

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online