Bashkimi Arbitrave Shqiptar të Futbollit është zgjuar sot dhe u desh goditja e Eldorian Hamitit në Kamëz që të ndodhte diçka e tillë. Edhe pse edhe më parë arbitrat kanë qenë “viktima”, BASHF ka përtuar të dalë me deklaratë. Topat e borës në Korçë, boçja e pishës në kokën e Denis Rexhës, shishet dhe kapsollat në “Selman Stërmasi” më parë drejt arbitrave, nuk mjaftuan të kishte një reagim.
Gjithsesi këtë herë shqetësimi është i madh, pasi situata duket se po del jashtë kontrollit dhe një ndihmë e ka dhënë edhe Komisioni i Disiplinës me dënimet përkëdhelëse që ka dhënë deri më tani. Kërkohet zbatimi i ligjit dhe rikthimi i Policisë, një kor i përbashkët i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe klubeve, që e kanë të pamundur për të garantuar rendin nëpër stadiume.
“Bashkimi Arbitrave Shqiptar të Futbollit dënon me forcë dhunën e ushtruar ndaj arbitrit Eldorjan Hamiti në ndeshjen Kamza-Laçi, dhunë e cila është e përsëritur dhe vjen si rrjedhojë e veprimeve dhe mos veprimeve nga Policia e Shtetit në stadiumet e Shqipërisë.
Për fat të keq, ne vëmë re në mënyrë të përsëritur se nuk ka anjë reagim ligjor nga asnjë organ qe merret me rendin në Shqipëri, aq sa kjo të bën të mendosh se Policia bëhet parntere me krimin. Ngjarjet e javës së parë në Korçë ishin të rënda. Nuk u shoqërua askush.
Javën e kaluar në ndeshjen Partizani -Flamurtari u dhunua zyrtari klubit Flamurtari në sy të gjithë opinionit publik. Përsëri heshtje. Po e njëjta gjë do të ndodhë edhe me ngjarjen e rëndë të ndodhur sot në Kamëz ku u godit gjyqtari ndeshjes.
Të duket sikur Policia e Shtetit është kthyer në Polici private. Pas derbit pamë forcat speciale që bënin show në stadium, ndërkohë që kushdo hynte në fushën e lojës pa anjë leje dhe pa u ndëshkuar e shoqëruar.
Kjo është bërë realisht e frikshme, ndërsa të pandëshkuarit nga ligji bëjnë çfarë duan dhe nuk ndëshkohen. E gjitha kjo ndodh ndërkohë që policia është e gatshme të jetë kudo për interesa klienteliste. Ajo mungon vetëm kur duhet dhe kur kërcënohet jeta e gjyqtareve apo e protagonistëve të tjerë të lojës së futbollit. Duket sikur me dashje ajo kërkon ta shkatërrojë futbollin në Shqipëri.
Të shqetësuar, të kërcënuar dhe të pambrojtur në çdo ndeshje kudo nëpër Shqipëri, ne kërkojmë urgjentisht rikthimin e Policisë në stadiume për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla kaq të rënda”, thuhet në reagimin e BASHF.