Arbitra të dashur, lëreni bilbilin dhe merrni lopatën!

Edhe sot pamë futboll, pak, tek-tuk e pa ndonjë cilësi të madhe, sepse Skënderbeu me të drejtë ka marrë pushimet dhe Kukësi nuk ka më asnjë stimul që të luajë futbollin e bukur që tenton të bëjë Peter Pakult.

Edhe sot pamë disa persona që quhen arbitra. Fjalë e madhe, nuk është as shqip, në shqip ndoshta quhet gjyqtar, por gjyqtari/arbitri vendos drejtësi në teori.

Këta tipat që drejtojnë ndeshjet e futbollit shqiptar janë realisht disa persona që duhen studiuar mirë, para se të nxirret një konkluzion mbi gafat e tyre: janë të paaftë, e bëjnë me qëllim, kanë urdhër nga lart?

Sido që të jetë, asnjë arbitër nuk e ka ndërgjegjen të pastër. Në tre ndeshje sot kemi parë gjëra të turpshme. Dikush thotë: humbasin lojtarët gola të sigurt, pse sulmohen vetëm arbitrat? E drejtë, por nëse një sulmues humbet një rast apo penallti, ka mundësi ta rregullojë gjatë ndeshjes, duke shënuar një gol tjetër, ashtu si portieri bën një gafë e pastaj pret penallti. Po arbitri? Si mund të rregullohen gafa si ajo me Lushnjen sot, ajo në Kamzë kundër Luftëtarit dhe penalltia kundër Flamurtarit në Vlorë?

Tre gafa vendimtare, edhe pse për fatin e Luftëtarit dhe Flamurtarit, Athanasopulos e Nurkoviç pritën, ndërsa Lushnjën tashmë e shkelin me këmbë po të duan, nuk ankohet, edhe pse penalltia që nuk iu dha Sefës në minutën e dytë ishte një skandal që tregon qartë se arbitri i asaj sfide nuk është për këtë punë, si shumë nga kolegët e tij.

Prandaj, të dashur arbitra, që merrni nga 400 mijë lekë për ndeshje, ndërroni profesion sa nuk është vonë dhe të bëheni viktima të dhunës, apo edhe më keq. Sepse jemi shqiptarë, marrim zjarr kot, jo më kur kemi arsye. Merrni lopatën, nëse nuk dini të bëni asgjë tjetër në jetë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *