Një mbyllje që nuk pritej nga Apolonia në këtë fund të fazës së parë të grupit B. Ndaj një kundërshtari potent si Bylis, e vetmja skuadër pa humbje, madje pa pësuar asnjë gol jashtë fushe gjatë këtij kampionati, fierakët nuk jepnin shumë shpresa se do të bënin çudira gjatë kësaj përballjeje. Ishin mallakastriotët ata që vinin me bujë, për shkak të performancës së dëshmuar gjer tani, por fundi i takimit u dha të drejtë bardhejeshilëve, të cilët e patën përgatitur në mënyrën më të mirë këtë ndeshje, gjithë seriozitet e reflektim pas dy humbjeve radhazi.
Pjesa e parë – Ambicien e saj Apolonia e dëshmon qysh në momentet e para, teksa shënon në minutën e katërt. Dimo di si të sjellë rrezik nga e majta. Kapiteni provon të shënojë vetë, por i talentuari Dramolli grushton, madje dhe tentativën e Krasniqit, por jo provën e tretë brenda të të njëjtit aksion, ku Sota tregohet i saktë dhe kalon në avantazh të tijtë. Pritet reagim i Bylisit, por është sërish Apolonia, që dikton. Rastet e Sotës dhe Krasniqit neutralizohen nga ndërhyrjet e portierit mallakastriot, që ka pasur jo pak punë në këtë ndeshje dhe ka shpëtuar skuadrën e tij nga raste të shumta për gol. Krasniqi kërkon t’i “imponohet” rivalit të tij Zisi te Bylis në garën e goleadorëve. Në minutën e 27-të, sulmuesi i Apolonisë tenton me një goditje të beftë në hyrje të zonës, por topi kalon mbi traun e portës mike. Sërish Krasniqi, që kërkon penallti në minutën e 37-të, pasi pretendon se Buzi e ka prerë brenda zone, por asgjë e tillë për gjyqtarin. Ndërkohë, Bylis mbetet larg lojës që jemi mësuar të shohim, pa forcë organizuese dhe pa fantazi në sulm.
Pjesa e dytë – Lëvizja e parë e Nicës është aktivizimi i Franklin Ntepes në vend të Kolgegës, për t’i dhënë më shumë dimension fazës ofensive. Por Apolonia duket tejet e vendosur për të qenë “zot” në fushën e saj. Ka pak lëshim terreni në fillim të fraksionit të dytë nga fierakët, por shpejt e marrin veten dhe kthehen ata të pjesës së parë. Pas një goditjeje këndi në minutën e 65-të, Krasniqi gjuan në hyrje të zonës, një top që ndërpritet me dorë nga mbrojtja mike dhe pa mëdyshje kryesori Hoxha akordon 11-metërsh. E merr përsipër vetë Krasniqi dhe është i saktë: 2-0 për Apoloninë. Bylisi kupton se loja po i ikën nga duart dhe kërkojnë ta rihapin me çdo mundësi, por nuk janë në ditën e tyre. Ntepe rrëzohet herë pas here në zonë dhe pretendon për penallti, ndërsa “muri” mbrojtës i Apolonisë është i pakalueshëm për sulmet sporadike dhe të nemitura të skuadrës së Nicës. Minuta e 80-të do të sjellë dhe goditjen finale për këtë ndeshje. Krasniqi ka marrë një top të gjatë nga mbrojtja e tij, lë mbrapa Bellën në garën e shpejtësisë dhe mposht për herë të tretë Dramollën e dëshpëruar dhe të pafajshëm në të tre golat e pësuar. Si epilog i këtij takimi vjen goli me kokë i Jurgen Vatnikajt me kokë, pas një krosi nga goditja e këndit për Bylisin dhe gjuajtja mbi tra në minutën e fundit shtesë nga ana e Ntepes. Fitore e madhe dhe në plot kuptimin e fjalës për fierakët, ballë një Bylisi anemik e të patrajtë në këtë ndeshje.
APOLONIA – BYLIS 3-1
Shënues: Sota 4′, Krasniqi 65′ (11-m), 80’/ Vatnikaj 85′
APOLONIA: Çako, Braka, Kuçi, Duda, Velo (Velaj 90+1′), Hysenshahaj (Mehmeti 88′), Broshka, Llambro (Troka 62′), Sota, Dimo, Krasniqi. Në dispozicion: Hasfatia, Andoni, Kondakçiu, Gjata). Trajner: Ndriçim Kashami
BYLISI: Dramolli, Shosha, Kullira, Bella, Buzi (Samnda 67′), Limaj, Kolgega (F. Ntepe 46′), Luis Henrike, Murataj, Zisi, Vatnikaj. Në dispozicion: Xhorxheviç, P. Fejzaj, Hoxhaj, K. Fejzaj, Çukuka. Trajner: S. Nica.
GJYQTARË: E. Hoxha, E. Muça, E. Gjoka (Lezhë), K. Prenga (Laç)
KARTONË TË VERDHË: Murataj 38′, Hysenshahaj 68′, Dimo 84′
Kashami: Fituam luftën psikologjike, më pas lojën
Ndriçim Kashami, trajneri i Apolonisë në fund të ndeshjes ka lavdëruar ekipin e tij. “E kishim përgatitur mirë këtë ndeshje dhe morëm një fitore të merituar ndaj një kundërshtari shumë të fortë. E binda skuadrën gjatë gjithë javës për mënyrën se si duhet të luanim për ta fituar këtë ndeshje. Ne kemi armë të fortë sulmin dhe kundërsulmin. Këtë kërkova dhe këtë bëri ekipi sot dhe rezultati flet vetë. Ka qenë një luftë psikologjike në atë që duhej implementuar në ekip, po skuadra arriti të vepronte në mënyrën më të mirë me detyrat e ngarkuara. Objektivi ynë? Ne do të futemi në fushë për të fituar ndaj çdo kundërshtari e nuk do heqim dorë nga vendet e para”, mbylli ai.
Çuko: Ndeshje për t’u harruar
Orges Çuko, zëvendëstrajneri i Bylisit rrëfeu pas ndeshjes se ai dhe skuadra është e zhgënjyer me rezultatin. “Kemi pësuar humbjen e parë me një kundërshtar të fortë si Apolonia. Ka qenë një ndeshje jo e mirë nga ana jonë, ku kemi çaluar sidomos në finalizim. Megjithatë, ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë fort objektivit tonë, duke i marrë ndeshjet një e nga një dhe duke nxjerrë mësimet e duhura nga kjo humbje”, mbylli Çuko.