Tre trasferta, po kaq humbje të pësuara në këtë edicion të Kategorisë Superiore. Luftëtari kërkon të marrë rezultatin e parë pozitiv jashtë fushe, me misionin që është tejet i vështirë, pasi gjirokastritët do të luajnë në fushën e Partizanit kryesues të kampionatit dhe skuadrës më në formë për momentin.
Objektivi vështirësohet edhe nga lajmet jo të mira që vijnë nga infermieria. Në testin e zhvilluar gjatë fundjavës që lamë pas me Bylisin, nga fusha u largua i dëmtuar kapiteni Behar Ramadani. Mesfushori ka probleme muskulore dhe është në dyshim për ndeshjen e së dielës në “Selman Stërmasi”. Stafi mjekësor do të bëjë të pamundurën për ta rikuperuar 28-vjeçarin, me shpresën se ditët në dispozicion do të mjaftojnë që ai të jetë në fushë.
Prezenca e Ramadanit do të ishte tejet e rëndësishme, për të ndihmuar bluzinjtë që të përballojnë “furinë e kuqe” të Skënder Gegës, që me presingun e lart dhe daljet e shpejta kanë vendosur në vështirësi të gjitha mbrojtjet e kampionatit. Rikuperimi i mesfushorit shkodran do të bënte që diga e krijuar përpara mbrojtjes, së bashku me Aleksin, të jetë një vlerë e shtuar për të mbrojtur portën.
Ndërkohë, në Gjirokastër kanë marrë lajme të mira përsa i takon yllit të ekipit, të mbetur nga faza ofensive e sezonit të kaluar. Eduard Rroca u rikthye në fushë pas mungesës 5-mujore. 20 minutat e kaluara në fushë ndaj Bylisit konfirmuan se fantazisti mbetet vendimtar për ekipin. Rroca vazhdon të punojë me program të dedikuar në aspektin fizik, por sipas gjasave do të jetë ndaj Partizanit, të paktën në stolin e rezervave, e nëse do të nevojitet, për të dhënë kontributin e tij gjatë ndeshjes.