Anglia do të zhvillojë dy ndeshje të vështira dhe delikate në Ligën e Kombeve. Dy transferta për kombëtaren angleze,respektivisht ndaj Kroacisë dhe Spanjës. Në prag të këtyre ndeshjeve trajneri Gareth Sauthgejt ka shpallur dhe listën e të grumbulluarve.
Një listë, që sjell jo pak surpriza dhe emra të rinj në kombëtare, kushtëzuar dhe nga mungesat prej dëmtimeve. Xhejdon Sanço, Xhejms Medison dhe Mejson Maunt janë thirrur për herë të parë në kombëtare. Mesfushori me tipare sulmuese i Dortmund ka bërë një fillim sezoni mjaft të mirë, duke qenë edhe lojtari që ka më shumë asist për minutazhin që ka luajtur.
Gjithashtu Xhejms Medison ka bërë një nisje fantastike me Leisterin dhe paraqitjet e tij kanë rënë në sy të trajnerit Sauthgejt. Mejson Maunt shihet si një ndër lojtarët më me të ardhme në Angli. 19-vjeçari është në pronësi të Çelsit, por është i huazuar te Derbi, ku dhe i ka luajtur të gjithë sfidat si titullar. Rikthim për Nataniel Çalobah të Uotford, i cili kthehet nga dëmtimi.
Herri Uinks dhe Ros Barklej janë të grumbulluar po ashtu. Loftus-Çik është lënë jashtë nga trajneri i “3 luanëve”, kur kujtojmë mesfushori i Çelsit u aktivizua dhe në Botëror për anglezët. Dele Ali, Xhesi Lingard si dhe Adam Lalana janë lënë jashtë si pasoje e dëmtimeve dhe kondicionit fizik jo në 100%.