Të gjithë sytë do të jenë të drejtuar në “San Siro”. E diela e 21 tetorit është një datë e programuar nga të gjithë tifozët e Interit dhe Milanit, por jo vetëm. Prej orës 20:30, e gjithë bota do të përqendrohet te derbi i Madoninës. Mënyra më e mirë për të nisur sfidat e kampionateve, mbi të gjitha në Serinë A italiane, pas pauzës së ndeshjeve ndërkombëtare.
Kur kanë mbetur vetëm gjashtë ditë nga supersfida e futbollit italian, Luçiano Spaleti dhe Xhenaro Gatuzo i janë futur punës, për të përzgjedhur formacionin më të mirë që do të hedhin në fushë. Një ndeshje, të cilën dy tifozeritë duan ta fitojnë, por që vlen edhe tre pikë shumë të rëndësishme për synimet e dy klubeve.
Problemi më i madh i dy trajnerëve lidhet me periudhën kur do të kenë mundësi të punojnë me grupet e plota. Një pjesë e lojtarëve do të jenë ende në grumbullime dhe do të ketë vetëm pak ditë në dispozicion për të punuar me ekipet e tyre. Një situatë, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në derbi.
Lodhja nga angazhimet me ekipet përfaqësuese, por edhe udhëtimet e gjata, mund të ndikojnë në vendimet përfundimtare të ekipeve, për lojtarët që do të zbresin në fushë. Për shkak të kësaj situate, dy trajnerët duhet të mendojnë zgjidhje alternative, të cilat rrezikojnë të ulin cilësinë.
KUR KTHEHEN LOJTARËT E INTERIT:
E hënë 15 tetor: Asamoh dhe Galjardini;
E martë 16 tetor: Perishiç;
E mërkurë 17 tetor: Miranda, Ikardi, Keita, Martinez, Skrinjar, Vesino, De Vraj.
KUR KTHEHEN LOJTARËT E MILANIT:
E martë 16 tetor: Donaruma, Kalabria, Bonaventura, Rodriguez, Çalhanoglu, Suso, Haliloviç;
E mërkurë 17 tetor: Kesie; Laksalt.