Njihuni me Kairatin, legjendën e Kazakistanit, skuadër që vlen tre herë më shumë se Skënderbeu dhe që ka disa vite që na është bërë makth
Pasi kaloi me lehtësi andorrasit e San Zhulias, të paktën në Andorra, Skënderbeu mendon menjëherë për turin e ardhshëm. Bën mirë të mendohet gjatë e të punojë fort, sepse Kairat Almati është një rival i frikshëm. Askush të mos thotë: Hajt, se kazakë janë! Jo, vërtet janë kazakë, por në dekadën e fundit kanë investuar aq shumë e aq mirë në sport, saqë tani na japin leksion.
KUSH ËSHTË KAIRATI – Klub i themeluar në vitin 1954, me emrin Lokomotiv Alma-Ata, Kairat Almati mund të krenohet me një fakt historik të pashoq: është klub i i vetëm kazak që ka luajtur në elitën e futbollit të ish-Bashkimit Sovjetik, krenaria e madhe e Kazakistanit për dekada të tëra. Në vitin 1986 e mbylli në vendin e shtatë në divizionin e parë rus dhe në total ka luajtur 24 sezone në elitën e futbollit sovjetik, një rekord për një klub të Azisë Qendrore. Në Kazakistan Kairati ka fituar 2 tituj kampionë, 1992 e 2004, si dhe 7 kupa e një Superkupë, vjet. Në vitin 2006 klubi u përfshi nga një krizë e thellë financiare, por në vitin 2007 një grup biznesmenësh mori klubin dhe investoi 4 milionë dollarë në të. Nuk mjaftoi, sepse në fillim të vitit 2009 Kairati falimentoi dhe zbriti nga kategoria. Gjithsesi, brenda vitit erdhi ngjitja në Premier Ligë dhe aty nisi ngjitja graduale.
NË KUPAT E EUROPËS – Kairati ka fituar në vitin 1971 Kupën e Hekurudhave, duke mundur Rapidin e Bukureshtit. Kompeticioni nuk ekziston më, por ishte një triumf kontinental, i pari për një klub sovjetik. Pas pranimit të Kazakistanit në UEFA, Kairati ka luajtur 7 herë në turet kualifikuese të kupave të Europës, duke kaluar 4 herë turin, gjithmonë prej sezonit 2014/2015 e tutje. Në sezonin 2015/2016 Kairati pati kulmin e vet evropian, duke eliminuar me radhë Crvena Zvezdën serbe, Alashkertin e Armenisë dhe Aberdinin skocez, para se të ndaleshin në play-off nga Bordoja, që kaloi duke fituar 1-0 në Francë, pasi kishte humbur 2-1 në Kazakistan.
MAKTHI SHQIPTAR – Në 4 vitet e fundit Kairati po shkëlqen në Europë dhe për dreq, gjithnjë po përballet me klube shqiptare. Në sezonin 2014/2015 u ndesh me Kukësin, duke fituar 1-0 në shtëpi e barazuar 0-0 në Tiranë. Vjet masakroi Teutën, me dy fitore 5-0 e 1-0, tani do të ndeshet me Skënderbeun.
AVANTAZHI – Nëse Skënderbeu ka në këmbë vetëm 2 ndeshjet kundër San Zhulias, Kairati është shumë herë më mirë fizikisht. Kampionati kazak është në kulmin e vet dhe Kairati është i dyti, me 40 pikë në 19 ndeshje, 8 pikë larg Astanas. Në 19 ndeshje, 11 fitore, 7 barazime e vetëm një humbje, me plot 43 gola të shënuar, vetëm një më pak se Astana. Në 8 ndeshjet e fundit në të gjitha kompeticionet Kairati ka vetëm fitore!
SKUADËR YJESH – Në transfermarkt.de Kairat Almati vlen rreth 18 milionë euro, ndërsa Skënderbeu rreth 7 milionë euro. Ta kemi të qartë që tani: në emra, Kairati është shumë më superior se Skënderbeu. Ne kemi lojtarë të mirë, por jo yje, ndërsa përballë kemi lojtarë me CV të frikshme, mjafton të përmendim pak emra: spanjolli Sezar Arzo, ish-mesfushori i njohur i Hamburgut Iliçeviç, rusi i famshëm Andrej Arshavin dhe sulmuesi nga Bregu i Fildishtë, Gohou. Këta 3 të fundit shënojnë “lumë golash”, mjafton të shihni dy ndeshjet e turit të parë në Europa League: Iliçeviç 3 gola, Gohou 3 gola, Arshavin 2 gola.