Kavajasi i kombëtares ndoqi dje sfidën Luftëtari-Partizani, por s’e harron edhe fanellën bardheblu
Erjon Saliu
Andi Lila ishte i pranishëm në stadiumin e Gjirokastrës për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Luftëtarit dhe Partizanit. Para këtij takimi, në një lidhje të drejtpërdrejt për “Gol pas Goli”, mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, që luan me Pas Janinën, zbuloi se do të kishte mundësi të takonte shumë miq të tij. “Distanca është e shkurtër dhe erdha të shoh takimin e Luftëtarit me Partizani. Shpresoj të fitoj më i forti dhe të shoh një ndeshje të bukur. Do të takoj edhe miqtë e vjetër si: Preiti, që e kisha te Parma, por edhe të shoh Abazajn, Bregun dhe Rrocën më nga afër. Gjithashtu të shoh edhe një ndeshje pa polemika. Stërvitjet dhe terrenet janë të mira që lojtarët të shprehin kualitetin e tyre”.
TIRANA – Sa i përket të ardhmes së tij, 32-vjeçari tha se ka edhe dy vite kontratë me skuadrën greke, ndaj s’mund të thotë se çfarë do të ndodhë kur t’i ketë mbushur 34-vjeç. I pyetur se do të përshtatej më mirë, te Partizani apo Luftëtari, Lila tha një përgjigje që kënaqë tifozët e Tiranës. “Nuk kam si të përshtatem me këto dy skuadra, pasi Tirana më pret pas dere, – duke lënë të kuptohet se nuk e harron kollaj fanellën bardheblu, aty ku ka kaluar kulmin e karrierës, pasi fitoi titullin kampion, Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën, por edhe mbajti shiritin e kapitenit. Madje, Andi Lila, sapo u bë pjesë e skuadrës së Tiranës fitoi edhe një vend në Kombëtare. Lila luajti për 3 sezone si titullar në radhët e skuadrës së Tiranës dhe ishte një nga lojtarët idhull të tifozerisë bardheblu.