Një dëmtim ka shqetësuar Napolin dhe trajnerin Ançeloti. Një nga pikat më të forta të mbrojtjes, Raul Albiol është lënduar dhe mund të mungojë gjatë. Spanjolli është dëmtuar në gjurin e majtë dhe rrezikon të qëndrojë për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta.
33-vjeçari do të udhëtojë sot drejt Valencias për t’u rikthyer në shtëpi, ndërsa ka kryer një konsultë me Angle Ruiz-Kotorro, mjekun e famshëm spanjoll që punon prej 15 vitesh me Rafael Nadal.
Mbrojtësi i Napolit ka një miqësi me tenistin e famshëm dhe ky i fundit i ka sugjeruar një kontroll te doktori. Albiol mund të përdorë një kurë me qeliza burimore për t’u rikthyer më shpejt dhe më i fortë në fushë.
Tashmë priten përgjigjet e testeve për të përcaktuar më saktë kohën që Ançeloti do të bëjë pa shërbimet e një prej pikave të forta të repartit difensiv.