Në ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë Superiore, dy prej tyre veçohen për rezultatet e thella që u fiksuan, por ka edhe argumente të tjerë që kjo javë i solli si dritëhije që mund të flasin më shumë për vazhdimësinë. Kështu mendon edhe ish-portieri i Elbasanit kampion dhe i Kombëtares, Muharrem Dosti, i cili thekson se me humbjen në sfidën ndaj Partizanit, skuadra e Skënderbeut duhet të bëjë llogari ndryshe në dy fazat e tjera, pse jo edhe për mbijetesë.
“Kur mendon se kemi të bëjmë me kampionen në fuqi, Skënderbeun, natyrisht që pas humbjes me Partizanin, gjithçka për këtë situatë të çon te dënimi i FIFA-s. Kështu po ndodh edhe me Luftëtarin, i cili u ‘shkërmoq’ në fushën e tij nga Kastrioti. Asgjë e mirë nuk ndjehet në fushë nga ai Luftëtar i sezonit të kaluar. Humbja 1-5 ndaj Kastriotit duket si një “puç” brenda familjes bluzi. Këtë ndoshta e tregon edhe largimi i trajnerit Mezani”, kështu theksoi Dosti në këtë deklaratë.
Dhe për SportEkspres.com, ish-gardiani i Elbasanit shkon edhe më tej për këtë situatë: “Duke i parë Skënderbeun e Luftëtarin brenda rezultateve të javës së 19-të, zbritjen graduale të tyre në tabelën e renditjes, mund ta quajmë edhe si një goditje të kampionatit në pjesën më të bukur të tij. Luftëtari këtë e tregoi më frikshëm dhe është normale të thuhet se filloi ‘rënia e lirë’ e tyre. Mbijetesa ndoshta do të shtojë në ekuacionin e saj edhe njerën prej këtyre dy skuadrave”.
AGRON KAJA