Skuadra e Luftëtarit e ka nisur me dritëhije gjysmën e dytë të sezonit 2018-2019 në Kategorinë Superiore. E renditur në vendet e fundit të tabelës, në grupin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, Luftëtari humbi thellë në Gjirokastër në javën e 19-të, 1-5 me Kastriotin, ndërsa në javën e 20-të fitoi në transfertë me Laçin 2-0. Për këtë situatë, ish-futbollisti i Luftëtarit, Partizanit e Kombëtares, Dhori Kalluci deklaron se në futbollin e sotëm nuk ekziston më faktorë fushë.
“Mendoj se nuk ka ndodhur shpesh një situatë e tillë, por surpriza edhe ka bërë Luftëtari këtë sezon. Nuk ekziston më faktori fushë, sepse futbolli ynë në përgjithësi ka ndryshuar konceptet, është rritur më shumë. Me Kastriotin ishte lajthitje e tre futbollistëve me veprime amatoreske, ndërsa me Laçin skuadra u shpreh më qartë në lojë. Jo se u ndryshua trajneri, por Ahmataj duket më kërkues gjatë ndeshjes. Në fitoren me Laçin u bënë më pak gabime”, theksoi Dhori Kalluci në deklaratën e tij për SportEkspres.com.
Ndërsa për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, Kalluci kërkon që Luftëtari të shprehet më mirë në lojë dhe në finalizim. “Janë disa përforcime të reja që duhen parë me kujdes në ndeshjen me Flamurtarin të dielën. Besoj se kjo është një ndeshje që duhet fituar, për të qenë më të avantazhuar nga Kastrioti dhe nga Kamza. Duhet më kujdes në finalizim, sepse këtu ka qenë mangësia kryesore gjatë ndeshjeve në fushën tonë”.
Pas javës së 20-të në Kategorinë Superiore, Luftëtari renditet në vendin e 8-të me 20 pikë, 4 pikë larg Kastriotit të vendit të 9-të. Në javën e 21-të, të dielën gjirokastritët presin në stadiumin e tyre vlonjatët e Flamurtarit, ndeshja e parë në kampionat për trajnerin Julian Ahmataj në Gjirokastër.
AGRON KAJA