Analiza e Bobo Vierit: Vetëm italianët kritikojnë një futbollist si CR7!

Kristian Vieri nuk mund të qëndrojë pa dhënë opinionin e tij kur vjen fjala për futbollin e luajtur dhe Serinë A dhe mendimet e tij janë gjithmonë interesante. Ish-sulmuesi i famshëm komenton mbi gjendjen e Kristiano Ronaldos dhe mbyll garën për titull, pa filluar ende. 45-vjeçari ndalet te humbja e Napolit, Raxha Naingolan, sulmuesi i ri i Milanit, Patrik Kutrone dhe e ardhmja e kombëtares italiane.

Kristiano Ronaldo – “Nëse diskutojmë Ronaldon, unë çohem dhe iki. Duhet ta lëmë të qetë Kristianon, por në Itali jemi të aftë të kritikojmë dhe një futbollist si ai, për një problem që nuk ekziston. Ai ka shënuar gjithmonë shumë gola dhe dëshiron të vazhdojë të shënojë. Nëse do të kishte patur pak më shumë fat, sot do të kishte shënuar pesë gola ne tre ndeshjet e para. Rastet i ka patur, por topi nuk ka dashur të futet brenda.

Juventus duhet të mësojë ta vendosë në pozita për të shënuar, ndërsa atij i duhet të përshtatet. Ai është më i forti nga të gjithë dhe goli do vijë herët apo vonë. Seria A është e ndryshme nga La Liga, por Ronaldo do i shënojë golat e tij. Nuk e di se sa, por do të shënojë. Për mendimin tim, ai duhet të luajë gjithmonë me Dibala dhe Dagllas Kosta, por është trajneri ai që vendos.”

Napoli – “Është e nevojshme të ndërrosh disa lojtarë, por Napoli nuk luajti në mesjavë dhe nuk ishte momenti i duhur për të bërë ‘turnover’ këtë ndeshje. Milik është një sulmues i fortë, por nuk mund të bënte gjë me Sampdorian, sepse u furnizua pak dhe gjatë gjithë kohës markohej nga dy lojtarë. Megjithatë, ai mbetet një sulmues i madh.”

Inter – “Zikaltrit nuk mund të konkurrojnë me Juven, por ata duhet të kualifikohen çdo vit në Champions. Naingolan më pëlqen, sepse është i fortë, ka kualitet teknik dhe një gjuajtje të frikshme. Kam kaluar gjashtë vite intensive dhe të bukura me Interin dhe nuk e di nëse do të sqarohem ndonjëherë me Moratin, por nëse më fton për kafe, do të pranoj.”

Kutrone – “Ai është një lojtar i ri i mirë, por nuk e shoh në fushë bashkë më Higuain, të paktën në teori. Janë të dy qendërsulmues, por mund të luajnë bashkë ndonjë 10-minutësh si të premten kundër Romës.”

Gara për titull – “Nuk ekziston asnjë anti-Juventus në Itali. I vetmi ekip që ndodhet në lartësinë e bardhezinjve është Napoli, por do të jetë shumë e vështirë për të konkurruar për titull.”

Kombëtarja – “Mançini është një trajner i aftë, ka eksperiencë dhe ka qenë një ndër futbollistët më të mirë italianë. Ai e di se çfarë duhet të bëjë dhe ka grumbulluar shumë të rinj, që është gjëja më e rëndësishme. Duhet kohë, por Italia do të kthehet të jetë Italia.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *