Amerika nuk ka futboll, por shihni çfarë stadiumesh ndërton!

Çdo vit në kampionatin amerikan të futbollit investohen miliona dollarë, për të afruar emra të famshëm si Ibrahimovic, Rooney e shumë të tjerë, por është e qartë që niveli i kampionatit MLS nuk është shumë i lartë, për shkak se në Amerikë futbolli nuk është prioritet dhe është e vështirë që të dalin talente me shumicë, aq më shumë që ekzistojnë rregulla absurde dhe të ndjekësh një shkollë futbolli kushton sa qimet e kokës.

Megjithatë, të paktën në një drejtim Amerika po e konkurron futbollin e Europës, sepse po bën investime të jashtëzakonshme në infrastrukturë dhe stadiumet amerikane janë fantastike.

Një ndër stadiumet më impresionuese në botë është Mercedes-Benz Stadium, ku luan ndeshjet Atlanta United, klub që është futur në MLS vetëm në vitin 2017 dhe menjëherë ka hedhur hapa gjigante, aq sa fitoi sezonin e rregullt në Konferencën e Lindjes dhe është favorite për titullin kampion.

Mercedes-Benz Stadium është edhe shtëpia e Atlanta Falcons, skuadra e qytetit në NFL, futbolli amerikan (ai me top vezak, Football, sepse amerikanët e quajnë Soccer futbollin që njohim ne).

Ndeshja e parë e Atlantas në stadiumin e ri u luajt më 16 shtator, kundër Orlandos, ndërsa impianti është mahnitës, brenda e jashtë, me çati të lëvizshme e me luks të paparë, me një kosto totale prej rreth 1.5 miliardë dollarë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *