Milot Rashica luan që nga janari me Verder Bremen në Gjermani. Lojtari i përfaqësueses së Kosovës vijon përgatitjet me skuadrën e tij, por nuk ka nguruar që të japë një intervistë për të përditshmen “BILD”, ku është fokusuar në disa tema dhe sigurisht nuk mund të linte jashtë vëmendjes dhe futbollin në Kosovë.
Mesfushori anësor bën ambasadorin në Gjermani duke treguar se futbolli në Kosovë është rritur shumë, por nga ana tjetër thekson se shumë pak lojtarët nga vendi i tij ja dalin që të bëjnë hapa aq të mëdhenj sa ai. Synimet e Rashicës? Ai i zbulon vetë!
Rashica, që nga janari luani me Verderin, por tifozët nuk dinë mjaftueshëm për ju…
Unë jam një djalosh normal, si gjithë të tjerët. Preferoj që të qetësohem pas stërvitjes me të fejuarën time. Ajo më mbështet në çdo hap timin. Unë mund të flas me të për gjithçka.
Sa ju mungon shtëpia?
Ishte një hapi madh që unë arrita të kaloja nga Kosova në Holandë tre vite më parë. Nuk janë të shumtë që lojtarët nga vendi im të kenë pasur mundësinë të lujanë në një nga 5 ligat më të forta në Europë dhe për këtë mund të ndihem krenar. Unë dëshiroj që të jem një shembull për fëmijët në Kosovë.
Çfarë mund të na thoni për futbollin në Kosovë?
Kanë ndodhur shumë gjëra në këto tre vite. Infrastruktura po përmirësohet, pasi po ndërtohen stadiume të reja dhe sponsorët kanë nisur që të mbështesin më shumë klubet atje. Në kohën kur Kosova nuk njihej nga FIFA dhe UEFA nuk mund të luaja me Kombëtaren si tani.
Tani luani në Bundesliga…
Gjithçka dua që t’ia dedikoj familjes time. Ajo më mbështet gjithnjë. Kur isha fëmijë, babai im nuk hoqi kurrë dorë së më trajnuari. Atëherë ishte dentist dhe kishte shumë punë, por më dërgonte gjithnjë në stërvitje. Familja ime nuk mungonte në asnjë ndeshje dhe ata janë shumë krenar për mua.
Si po shkon aventura juaj me Verderin?
Unë ndihem mjaft mirë këtu. Në dimër nuk isha pjesë e skuadrës në fazën përgatitore, pasi u bashkova me vonesë me ekipin. Kjo ka ndikuar në gjysmën e dytë të sezonit. Tani jam mjaft mirë fizikisht dhe punoj çdo ditë me skuadrën.
Nuk keni pasur shumë hapësira këtë edicion në skuadër, prisni më shumë?
Në muajin e parë ka qenë shumë e vështirë për mua. Unë kisha nevojë që të përshtatesha. Diferencat mes futbollit holandez dhe atij gjerman janë të mëdha. Këtu është një ritëm më i lartë, stadiumet janë më të mëdha dhe stërvitja është më intensive. Kam punuar shumë në anën taktike si dhe atë mbrojtëse në fundin e fazës së dytë.
Cilat janë planet tuaja për edicionin e ri?
Dua që ta ndihmoj skuadrën time duke shënuar dhe shërbyer gola. Unë kam punuar shumë dhe dua që të bind trajnerin që të më japë sa më shumë minuta. Dua që të luaj në sa më shumë ndeshje. Unë nuk do të ndalem edhe pse konkurrenca është e fortë. Në fund trajneri do të jetë ai që do të vendosë.
E fundit, jeni ju më i shpejti i ekipit?
Ne kemi shumë lojtarë të shpejtë. Nuk e di me saktësi nëse jam unë më i shpejti. Disa nga shokët e skuadrës më thërrasin raketa.