Kontratat disavjeçare! Eh, sa ta “marrin shpirtin” kur vjen fjala për merkato, për largimin e ndonjë futbollisti, apo thjesht edhe për faktin që blerësi duhet të bëjë një ofertë të mirë, ndryshe të harrojë objektivin “falas”…
Në Shqipëri, sigurisht, presidentët e kanë të “qëruar” muhabetin. Çdo 31 maj, kur mbaron sezoni, dalin në treg shumë lojtarë pa punë. Nga korriku deri në gusht çdo skuadër ndryshon nga koka te këmbët, afron futbollistë të rinj, largohen të vjetrit dhe kështu rinis gjithçka nga e para, a thua se lojtarët që luajtën një sezon më parë ishin thjesht disa “mercenarë” apo figurantë.
Ai që pëlqehet, ose ka raporte të mira me klubin, qëndron, duke rinovuar edhe për 1 vit tjetër, ndërsa ata që nuk bëjnë, marrin valixhet, ose, edhe më keq, largohen natën duke humbur nga gjurmët. Teksa, si ato kërpudhat pas shiut, i gjen duke u prezantuar me një skuadër të re.
Betejë ligjore, ankesa në FIFA, gjyqe e kështu me radhë. Rruga që ndiqet “alla shqiptarçe” është kjo, teksa gjithçka zvarritet pambarimisht.
Motivi? E thjeshtë! Askush, zyrtarisht, nuk depoziton në FSHF kontrata disavjeçare, por thjesht federim dhe kaq. Jemi mësuar lehtë, a thua se luhet ndeshje lagjesh dhe merrnim shokun tonë nga një lagje tjetër, por më pas ia jepnim sërish, sepse nuk kemi para dhe më mirë të marrim dikë nga lagjia tjetër…
Por, tani marrim një mësim akoma më të mirë. Dhe nga ku? Përtej detit, nga krahu tjetër, Italia, aty ku sot, mes risive të shumta të Serisë D (diletantët, futboll gjysmë-profesionist ose profesionist), sipas AIC, Federata Italiane ka modifikuar nenin 94 të federimeve, që parashikon detyrimin për klubet pjesëmarrëse në këtë kampionat që të prezantojnë akorde ekonomike për lojtarët, duke futur mundësinë disavjeçare.
Disiplina e re, në fakt, parashikon risi që lidhen me planin ekonomik (maksimal + identitet disavjeçar), në modulin e depozitimit, mbi federimin dhe aspektet fiskale. Sepse, kaosi i kontratave është një nyje që duhet zgjidhur, sepse futbollistët nuk mund të jenë thjesht disa “mercenarë” që paguhen një vit (ose edhe nuk paguhen aspak) për t’u larguar më pas vitin tjetër, sipas dëshirës.