Alvesh, i bindur: Nuk ka asnjë mënyrë të na ndalin!

Braziliani është i bindur se Flamurtari do arrijë të kapërcejë çdo pengesë, përfshirë edhe gjykimet kundër. Musta “ngacmon” përmes rrjeteve sociale

Elton Nika

“Sado që të jenë, nuk ka pengesë që nuk mund të kapërcehet”, ky është mendimi i sulmuesit brazilian Danilo Alvesh, natyrisht i thënë në gjuhën e tij, por që nënkupton shumë. Lidhet pikërisht me vendimet e gjyqtarëve në ndeshjet e fundit të Flamurtarit, teksa braziliani ka postuar edhe në rrjetet sociale një pamje filmike nga ndeshja e fundit, kur goditja e tij drejt portës u ndalua me dorë nga një prej lojtarëve të Laçit. Vetë sulmuesi i Flamurtarit pranon dukshëm se në javët e fundit vendimet ndaj gjyqtarëve kanë qenë dukshëm kundër Flamurtarit. “Sido që të jenë, nuk ka pengesë që nuk mund të kapërcehet. Ne do të vijojmë përpara për të kërkuar maksimumin në çdo ndeshje. Kjo është një fatkeqësi e madhe për të gjithë, pasi po shohim nga ndeshja në ndeshje se po goditemi vetëm ne, teksa na janë mohuar raste mjaft të pastra të penalltive, që duhej të ishin dhënë. Në këtë mënyrë do të kishim pikë më shumë në renditje. Por pavarësisht pengesave, ne jemi të bindur se gjithçka do të arrijmë ta kapërcejmë me sukses, me lojën dhe fitoret tona në çdo ndeshje. Megjithatë të vjen keq kur sheh se gabimet përsëriten çdo ndeshje dhe çdo javë të kampionatit, pikërisht ndaj nesh, në ndeshje ku dukshëm duhej t’i kishim fituar, pasi kemi shënuar dhe kemi ruajtur avantazhin, madje kemi shkuar pranë golit të dytë dhe na kanë barazuar vetëm me anë të penalltive, të cilat nuk kanë qenë aspak. Ndërsa Flamurtarit nuk i janë akorduar penallti nga më flagrantet.

Gjithsesi ne do të kapërcejmë çdo pengesë, duke parë që tani nga ndeshja e radhës, ku duhet të kthehemi te fitorja. Besojmë plotësisht te ky rezultat, pavarësisht emrit të kundërshtarit që kemi përballë. De e respektojmë dhe vlerësojmë kundërshtarin në fushën e lojës, por do të kërkojmë vetëm tre pikët”, thekson sulmuesi i Flamurtarit, që deri më tanika shënuar një gol kampionat, në sfidën e fituar me Lushnje. Gjithsesi me asistet e tij i ka dhënë dy gola Bushiçit. 

MUSTA – Nuk është vetëm Danilo Alvesh që sheh pengesa të mëdha përpara, por edhe lojtarët e tjerë të Flamurtarit. Në rrjetet sociale nuk kanë nguruar të rendisin situatën e krijuar deri më tani në gjashtë javë kampionat. Emiljano Musta, lojtari i linjës së majtë, nuk ka nguruar të postojë në faqen e tij një foto të tre gjyqtarëve me syze, shoqëruar me mbishkrimin: No Coment! Gjyqtarët këtë vit kundër Flamurtarit””. Nënkuptimi i fotos është i qartë: gjyqtarët nuk arrijnë të shohin asgjë që është në favor të Flamurtarit, por gjithçka kundër e japin menjëherë pa u menduar aspak. Pas administratorit Idrizi, i cili e ka cilësuar si komplot situatën e krijuar ndaj Flamurtarit, tashmë edhe lojtarët duket se nuk mund ta pranojnë më situatën e krijuar, teksa nuk kanë munguar komentet ironike në rrjetet sociale për situatën që ka kaluar me gjykimet klubi vlonjat.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *