Sulmuesi i Dortmundit Pako Alkaser është njeriu i momentit në Gjermani, sepse shënoi 3 gola ndaj Augsburgut në ndeshjen e fundit të kampionatit, duke e nisur nga stoli.
Këtë sezon spanjolli ka pasur një ritëm monstruoz, me 7 gola në 4 ndeshje, ndërsa nuk ka luajtur asnjëherë titullar në Bundesligë, ku ka shënuar 6 gola në 81 minuta. Asnjë futbollist në planet nuk ka këtë rendiment, me një gol çdo 13.5 minuta, ndaj në Dortmund janë bindur ta blejnë përfundimisht, duke e parë se kanë bërë bingo me një sulmues që kishte nevojë për qetësi dhe besim.
Aktualisht Alkaser është në huazim për 2 milionë euro nga Barcelona, por Dortmundi i paguan të plotë pagën prej 4 milionë eurosh dhe ka një opsion blerjeje për 23 milionë euro.
Në futbollin aktual shifra është qesharake dhe Dortmundi do të paguajë, sepse ka edhe premtimin e Alkaser për të vazhduar në Dortmund, sipas asaj që raporton Kicker.