Sulmuesi azer i Kukësit, Rauf Alijev, duket se ka kaluar momente të vështira për të marrë lejen e kalimit nga skuadra e Inter Bakusë. Në fakt, nëse i vendos në një paralelizëm, është një situatë e ngjashme me atë që kanë kaluar “rebelët” e Kukësit këtë verë. Alijev pretendon se ka mbyllur kontratën me klubin e Inter Bakut në qershorin e këtij viti, por klubi azer deklaron se është i tyre edhe për një sezon. Në një intervistë për mediet azere, Alijev ka theksuar se është një lojtar i lirë dhe kontrata e tij ka mbaruar që në qershor.
DEKLARATA – “Klubi i Inter Bakusë mund të thotë çfarë të dojë, por realisht kontrata ime me këtë klub ka mbaruar në qershorin e këtij viti. Në Europë kam luajtur pa kontratë me Inter Bakunë. Kalimi te Kukësi u shty vetëm se Inter Baku vonoi të niste dokumentacionin. Nëse një lojtar është i lirë, ai mund të shkojë ku të dojë”, – shprehet Alijev për “Azerifootball.com”.
HISTORIA – Kukësi është i mësuar me histori të tilla lojtarësh, ngado ta sjellësh historinë është e ngjashme me pretendimet e Allës, Koliçit, Lenës dhe Eminit. Alijev pretendon se nuk ka kontratë me klubin e Inter Bakusë, azerët këmbëngulin në krahun tjetër. Megjithatë, pavarësisht zhurmës së madhe, duket se gjithçka është zgjidhur dhe Alijev ka marrë lejen e kalimit, pasi ka hedhur firmën në kontratën e Kukësit dhe është prezantuar.