Andi Matraxhiu ishte pjesë e panelit të emisionit “Mega Sport” në “A2 CNN Albania”. Menaxheri shqiptar ka folur me fjalë pozitive për Aleksin, duke vlerësuar karakterin e mesfushorit. Sipas tij, Aleksi tashmë ka arritur në statusin e një lideri dhe se forma fizike ia jep mundësinë që të luajë deri në moshën 40-vjeçare në kampionatin shqiptar.
“Pashë sot që në momentin që Aleksi po luante si qendërmbrojtës, mendoj se kishin një njeri më shumë në mesfushë. Sepse sa merrnin topin, ai dilte lart dhe ai e dha asistin te goli, pavarësisht aftësive personale të Diabatesë. Aleksi ka arritur një status lideri dhe është e vështirë që ta humbi. Për më tepër i bashkangjiten edhe sukseset e Egnatias.
Në momentin që ka sukses ekipi edhe lideri i saj është akoma më i ndriçueshëm, pra shkëlqen më shumë. E ka treguar edhe më parë, edhe kur nuk ka qenë kapiten në skuadrat e tjera, që ka një karakter të fortë. Nuk hap rrugë. Sa do luajë në Shqipëri? Unë mendoj që do të jetë si Luka Modriçi, deri në 40-41 vjeç mund të luajë në Shqipëri”, ka thënë Andi Matraxhiu./Sport Ekspres/