Liverpuli e ka nisur këtë sezon në një mënyrë mjaft të mirë për sa i përket Premier Ligës. Ekipi i drejtuar nga Jurgen Klop numëron 19 pikë, pas shtatë javësh të luajtura, teksa ndan kreun e renditjes me Mançester Sitin.
Lojtari më i ri në moshë tek ekipi i Liverpul është mbrojtësi i tyre djathtë, pikërisht i riu Trent Aleksandër-Arnold. 19-vjeçar aktualisht, anglezi do të ketë ditën e nesërme një ditë mjaft të rëndësishme. Përveçse duelit për kreun me Mançester Sitin, Arnold do të festojë dhe 20-vjetorin e tij të lindjes.
Si çdo njeri edhe talenti i Liverpul ka hobi dhe pasione të tijat. Një ndër pasionet e tij më të mëdha është shahu. Padyshim duhet të jetë një rast unik në futboll, teksa 19-vjeçari ditën e hënë do të sfidojë në lojën e shahut, kampionin e botës, norvegjezin Magnus Karlsen. Një ndeshje e veçantë padyshim, që është mundësuar nga “Kaspersky Lab”.
Aleksandër-Arnold është shprehur mjaft i emocionuar për sa i përket kësaj prove, duke thënë se do të jetë një sfidë mjaft e vështirë ndaj Karlsen, por gjithsesi ai do të mundohet të surprizojë.
“Shahu është një lojë pak a shumë si futbolli, që kërkon aftësi dhe strategji. Futbolli padyshim është pasioni im, por unë gjithmonë kam luajtur dhe shah. Është relaksuese për mua. Kam luajtur që i vogël dhe te Liverpuli luaja kundër Udbërn, por pasi u transferua te Shefilld Junajtid nuk kemi pasur shumë kohë për të luajtur. Sfida ndaj Karlsen do të jetë një test shumë i vështirë, por do të mundohem të bëj surprizën”, ka thënë mbrojtësi.