Maks Alegri ka qenë i pranishëm në Milano në prezantimin e celularit të ri “Galaxy A9”, i pari në botë me katër kamera. Trajneri i Juventusit ka theksuar objektivin e klubit torinez, që është fitimi i Champions-it. Kupa me veshë të mëdhenj mungon prej 22 vitesh dhe sivjet është viti i duhur për të tentuar fitimin e saj, pas dy finaleve të humbura në katër vitet e fundit.
“Pas shtatë titujve kampionë dhe katër kupave të Italisë, synojmë fitimin e Champions, që pothuajse e kemi prekur në dy finalet e arritura në katër vitet e fundit. Samsung dhe Juventus përfaqësojnë përsosmërinë, kërkimin e vazhdueshëm të perfektes, pasionin dhe vëmendjen ndaj detajeve.”
Trajneri bardhezi jep dhe opinionin e tij sa i përket çështjes së Kristiano Ronaldos dhe akuzave të ish-modeles amerikane, Ketrin Majorga, e cila akuzon portugezin për përdhunim.
“Kristiano zhvilloi një ndeshje pozitive në Udine dhe shënoi një gol të jashtëzakonshëm. Jam përgjigjur më parë në konferencë dhe në disa raste të tjera, sa i përket kësaj çështje. Besoj se tani është e drejtë të flasim për gjëra të tjera”, përfundon trajneri livornez i bardhezinjve.