Alegri: Dibala në stol me Spalin, çfarë rritje e Pjaniç! CR7? Ka “zbukuruar”… stërvitjet!

Ndeshjet e kombëtareve mbaruan dhe kampionatet janë gati të nisin. Juventusi pret nesër Spalin, ndërsa Maks Alegri si gjithmonë kërkon kujdes.

Trajneri i bardhezinjve vlerëson kundërshtarët në konferencën për shtyp dhe flet për Paulo Dibala. Alegri ndalet dhe te rritja e Pjaniç dhe e mbyll me dyshen Manxhukiç-Ronaldo. Portugezi ka sjellë cilësi dhe kualitet, por mbi të gjitha konkurrencë dhe vëmendje të madhe në stërvitjet e skuadrës.

DIBALA – “Paulo është në rritje konstante që nga viti i parë që erdhi. Jam i lumtur për golin që shënoi me Argjentinën. Ai është në gjendje të mirë, rritja e tij duhet të vazhdojë, por varet nga vullneti i tij. Kundër Spalit mund ta nisë nga pankina, ndërsa Manxhukiç dhe Ronaldo do të jenë titullarë. Kemi mungesa dhe dua ta ruaj një zëvendësim.”

DËMTIMET – “Kedira është jashtë, Emre Çan mund të kthehet për pak javë. Matuidit i kam dhënë 3 ditë pushim dhe do të kthehet sot. Kishte nevojë për një gjë të tillë. Në mesfushë nuk jemi në emergjencë.”

SPAL – “Qëndrimi ynë është i rëndësishëm për këtë ndeshje. Ata luajnë bukur dhe kanë arritur rezultate jashtë fushës së tyre. Janë një skuadër fizike dhe duhet të luajmë një ndeshje serioze. Nga ekipet e rangut të ulët, Spali është ndër më të rrezikshmet.”

PJANIÇ – “Miralem është bërë shumë i mirë. Ka përmirësuar gabimet e tij dhe është bërë një lojtar serioz. Ndonjëherë e zëvendësoj që të pushojë. Ai dhe Bentakur ndajnë së bashku ndërtimin e lojës tonë.”

MANXHUKIÇ-CR7 – “Futbolli nuk është një shkencë ekzakte, është alkimi. Mario dhe Kristiano ndihen mirë me njëri-tjetrin. Edhe kur luajnë të dy bashkë me Dibala kanë harmoni mes tyre. Ronaldo ka rritur shkallën e konkurrencës, sidomos në stërvitje. Kjo gjë ka shtuar rritjen e vëmendjes të të gjithë lojtarëve në seancat stërvitore.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *