Është vetëm 26 vjeç, por ka një CV mjaft të pasur, aq sa ka provuar Superioren, kampionatin bullgar dhe atë kroat, ndërsa ka luajtur edhe në kupat e Europës dhe ka veshur edhe fanellën e kombëtares. Albi Dosti ka qenë një ndër premtimet e mëdha të futbollit shqiptar, por në vitet e fundit kishte humbur rrugën, duke vendosur të kthehet këtë sezon te Teuta, ku e ka nisur shkëlqyeshëm. Duke folur për emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH, mesfushori e pranon se karriera e tij nuk ka ecur ashtu si duhej: “Këto dy vitet e fundit kam pasur rënie në karrierë, të jem i sinqertë. Teuta më ka dhënë mundësinë të bëhem pjesë e këtij projekti dhe duhet të jem i kënaqur që jam pjesë e formacionit”.
Tani Dosti bën sërish liderin në shtëpinë e vet dhe fitorja e fundjavës së shkuar në Shkodër e sheh Teutën e tij në krye: “Kishim bërë llogaritë tona dhe kemi punuar seriozisht gjatë verës. Kishim kalendar të favorshëm, e nisëm brenda. E kishim menduar që të fitonim në ndeshjet e para. E prisnim që do të ishte një ndeshje e vështirë në Shkodër, pasi. Ishim më mirë fizikisht se nga Vllaznia. Ata janë grumbulluar pak më vonë. Ne kemi dy muaj që po punojmë.
Dosti ka komentuar edhe barazimin mes Partizanit e Kukësit: “Partizani u tregua ndoshta më shumë seç duhet i kujdesshëm, duke menduar se goli do vinte me kalimin e minutave. Kukësi nga ana tjetër ishte i vendosur mirë dhe rezultati është më se i drejtë. Na favorizon ky rezultat dhe e prisnim”, u shpreh mesfushori, i cili ka një batutë për autorin e golit të fitores në Shkodër, Arbër Çyrbjen: “Çyrbjes i them të besojë në aftësitë e tij, pasi ka aftësi që i kanë shumë pak lojtarë në Superiore. Duhet të ulë kokën e të punojë. A kënaqem që shënoi një durrsak? Normalisht, por të gjithë kënaqemi kur shënon çdokush në ekip”.