Albano Aleksi për “Sport Ekspres”: Titullin ia lëmë kohës, me Tiranën kishim rastet më të pastra

Albano Aleksi ishte një prej lojtarëve më të dalluar të Teutës, sa i përket atij barazimi të djeshëm pa gola ndaj Tiranës. Dëshira e vendasve ishte për të dalë me pikë të plota nga ky takim, por futbollistët e drejtuar nga Shkëmbi, e kanë treguar edhe njëherë se do të jenë “kockë e fortë” edhe për këtë kampionat.

Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Aleksi ka folur pak më tepër rreth asaj përballje, ndërsa thekson se Teuta ka pasur rastet më të pastra të shënimit ndaj Tiranës, megjithëse e cilëson barazimin si rezultatin më të drejtë. Kur flitet për titullin, koha do të tregojë gjithçka…

Dy ndeshje dhe katër pikë. A është ky fillimi më i mirë që mund të kishte Teuta në këtë nisje të kampionatit?

Po besoj se është një fillim i mirë, duke parë edhe rivalin që ne kemi pasur në ndeshjen e dytë.

Sa i përket ndeshjes me Tiranën. Bardheblutë ishin favorit dhe disa herë më afër fitores. Mund të quhet barazimi si rezultati maksimal që mund të merrej nga ai 90 minutësh?

Ndeshja ishte e luftuar nga të dyja ekipet. Secila skuadër ka pasur mundësitë e saj për të shënuar dhe them se pavarësisht asaj traverse, ne i kishim raste më të pastra. Në ato momente si vajti loja, barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Po zbehja e energjisë në stadium, sa ndikoi në uljen e ritmit të lojtarëve?

Po ka ndikuar pak, por pavarësisht asaj ndalese, ishim shumë të përqendruar dhe e kishim ndeshjen në kontroll.

Ndërkohë keni qënë një nga futbollistët më të dalluar në fushë. Si është puna me trajnerin Shkëmbi në stërvitje?

Në radhë të parë është merita e gjithë stafit, çunave të ekipit që po bëjmë një punë shumë të mirë. Profesor Shkëmbi kërkon gjithmonë më të mirën nga lojtarët dhe që të japim 100% tonë.

Tirana është një nga ekipet pretendente për titullin kampion. Keni thënë se nuk kishte diferenca në fushë mes dy ekipeve. Pra mund ta quajmë edhe Teutën pretendente po aq sa Tiranën, nëse vazhdimësia do të jetë e njëjtë me atë në nisje të kampionatit?

Tirana ka qënë gjithmonë pretendente për titull, por çdo vit kampionati ndryshon. E kam thënë dhe i qëndroj asaj pjese, se në fushë nuk kishte diferenca. Ka edhe ekipe të tjera që janë për kampion, ne do i marrim ndeshjet me radhë dhe kërkojmë të marrim maksimumin e pikëve. Pastaj titullin, ia lëmë kohës. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *