Një lajm i çuditshëm vjen nga Gjermania, sepse është kthyer në futbollin gjerman Alban Meha, ish-mesfushori i kombëtares shqiptare dhe më pas i Kosovës.
Vetëm pak ditë para startit të sezonit të ri, 32-vjeçari firmos për Elversbergun, në Regionalliga Südwest, Liga e katërt gjermane.
Në sezonin e fundit Meha luajti për Al-Faisaly Amman në Jordani, ndërsa tani ka firmosur një kontratë 1+1 në Elversberg, aty ku luante deri sezonin e fundit edhe sulmuesi veteran Edmond Kapllani, i cili ka kaluar në Oberliga, tek Shpilberg, ku do jetë edhe bashkëtrajner.
Meha ka luajtur në të gjitha kategoritë në Gjermani, duke e pasur kulmin e vet te Paderborni, ku shkoi në vitin 2011 dhe ishte protagonist i madh, duke u ngjitur në Bundesligë dhe duke u bërë pjesë e kombëtares shqiptare.
Në sezonin 2015/16 Meha u transferua në Turqi, te Konjaspori, ku qëndroi për 2 sezone, ndërsa dimrin e shkuar u largua pas shumë problemesh me klubin turk dhe firmosi në Jordani.
Elversberg këtë sezon synon ngjitjen në Ligën 3, ndaj Meha është një përforcim i rëndësishëm, por habit trajektorja zbritëse e mesfushorit, i cili pak vite më parë pretendonte të ishte titullar fiks te Shqipëria dhe është ende larg fundit të karrierës.