Mbrëmjen e kaluar Parisi dhe Napoli u ndan në barazim 1-1, në ndeshjen e tyre të luajtur në “San Paolo”. Sfida pati shumë intensitet lojë, sidomos në pjesën e dytë, ku Napoli barazoi shifrat me anë të një 11-metërshi, që ishte mjaft i dyshimtë. Siç u pa dhe nga përsëritjet, Hoze Kajehon ishte në pozicion të parregullt në momentin e nisjes së tij, më pas kontakti ishte i dukshëm dhe arbitri akordoi penallti.
Gjithashtu, disa momente më vonë pati një tjetër rast mjaft të diskutueshëm, ku Huan Bernat pretendoi për një ndërhyrje në dëm të tij, që do t’i jepte të drejtën e një penalltie PSG-së. Gjyqtari holandez i takimit, vijoi lojën duke e konsideruar të rregullt ndërhyrjen e Maksimoviç. Lidhur me këto episode ka folur presidenti i Parisit, Naser Al-Kelaifi, i cili është parë mjaft i nervozuar për faktin që VAR nuk përdoret në Champions.
“Erdhëm në Napoli për të fituar, por fatkeqsisht nuk shkoi ashtu siç e prisnim. Gjithsesi, rezultati nuk duhet të hidhet poshtë. E dinim që janë një ekip i fortë. Jemi në lojë për kualifikimin. Duhet të fitojmë në dy ndeshjet e radhës. Jemi të zhgënjyer sepse gabimet e arbitrit na kushtuan dy pikë”.
“Fillimisht, penalltia e Napolit nuk duhej të jepej, pasi aksioni ishte në pozicion të parregullt. Gjithashtu, ndërhyrja e Maksimoviç ndaj Bernat ishte një penallti e pastër në favorin tonë. Sistemi VAR duhet të jetë në mënyrë urgjente pjesë e Championsit”, përfundoi fjalët e tij Al-Kelaifi.