Flamurtari nuk arriti dot që të merrte qoftë dhe një pikë në ndeshjen e djeshme me Kastriotin, me kuqezinjtë që shfaqën një formë të dobët, çka dëshmohet nga fakti se ekipi nuk e goditi asnjëherë portën për gjatë 90 minutave. Normalisht që zhgënjimi ishte i madh në kampin vlonjat, por nuk munguan dhe akuzat.
Zyrtari i klubit të Flamurtarit, Çimi Ramaj, ka komentuar në fazën e klubit, duke u përgjigjur në lidhje me rezultatin aspak pozitiv që ekipi regjistroi në Fushë-Krujë. Kolegët e “Panorama Sport” kanë publikuar sot faksimilet, ku shihet se ndër të tjera përmendet dhe emri i Ramdan Ndreut, drejtorit të Kukësit, i cili akuzohet në rastin konkret se ka dërguar një çantë me para për Kastriotin, por dhe gjyqtarët. Komentet janë fshirë pak kohë më vonë.
“Keni filluar të bëni dhe filozofi tani? Duhet të shikonit çfarë bëhej sot aty në Fushë-Krujë. Kishte ardhur Ramadan Ndreu vëlla me një çantë me lekë, premio për Kastriotin dhe arbitrat, për të ndalur Flamurtarin”, shkruhej në komentet e Ramajt në faqen e klubit të Flamurtarit. Normalisht që flasim për komentet në rrjetet sociale, por nuk mund të anashkalohet dhe aq lehtë kur bëhet fjalë për një akuzë të tillë.