Ahmataj nuk u trembet mungesave: Luajmë për të fituar

Përballje jetike për mbijetesë do të jetë ajo kundër Vllaznisë. Skuadra e Ahmataj ka vetëm një objektiv në Shkodër, që është marrja e tre pikëve

Në ferr apo parajsë. Për Kamzën nuk ka rrugë tjetër. Duhet të marrë të paktën një pikë në Shkodër për të qenë edhe më pranë Superiores. Në fakt, në dy takimet e fundit, fitorja i ka ikur nga duart. Gol i pësuar në minutën e 94-rt në Durrës dhe penalltia e humbur prej Raçiçit në ndeshjen e fundjavës me Luftëtarin e kanë penguar jo pak ekipin e Kamzës, që sot mund të kishte katër pikë më shumë në renditje dhe një gjendje qetësie për luftën e mbijetesës. Trajneri Julian Ahmataj nuk kërkon të gjejë alibi te mungesa e fatit, por vlerëson lojën në rritje të ekipit të tij. “Fati është pjesë e futbollit. Normalisht kemi zhvilluar dy ndeshje të mira. Kemi krijuar shumë raste në ndeshje me tension të lartë dhe kjo ka bërë që skuadra të luajë në ekuilibër. Sulmi është pika që kemi ngulmuar, pasi e dimë që ekipi pëson gol dhe fakti që arrijmë të shënojmë na jep frymëmarrje. Lojtarët janë profesionistë dhe kemi një grup simpatik. Asnjë ndeshje nuk luhet për barazim, apo humbje, por gjithçka luhet vetëm për fitore dhe ky objektiv më ka ndjekur gjithë jetën”, është shprehur ish-lojtari i pothuajse të gjithë ekipeve shqiptare që kanë luajtur në Superiore.
Kamza shkon në Shkodër për një finale të vërtetë mbijetese kundër Vllaznisë, por në një intervistë për Supersportin trajneri Julian Ahmataj nuk e sheh si sfidën që vendos sezonin. “Nuk bëj llogari, pasi në futboll nuk dalin. Para 3 javësh flisnim ndryshe, pasi në Korçë nuk morëm pikë dhe kemi rrezikuar që disa ndeshje t’i humbnim apo disa t’i fitonim. Ndeshja e radhës është ndaj Vllaznisë dhe në atë ndeshje synojmë fitore, por kjo nuk do të thotë që kjo sfidë vendos gjithçka”, ka vazhduar më tej trajneri i skuadrës.

Për Ahmatajn, Plaku është lojtari vendimtar: “Shpresoj që ta kem të gatshëm, por ka një tërheqje dhe më duket e pamundur të luajë edhe pse po bën përpjekje maksimale. Sulmi është pika që kemi ngulmuar, pasi e dimë që ekipi pëson gol dhe fakti që arrijmë të shënojmë na jep frymëmarrje” . Një përballje jetike për mbijetesë do të jetë ajo kundër Vllaznisë, skuadra e Ahmataj ka vetëm një objektiv në Shkodër, që është marrja e tre pikëve.

Formacioni

Me gjithë përpjekjet, duket se Sebino Plaku do të jetë në dyshim deri në sekondën e fundit te skuadra e Kamzës. Ahmataj kërkon ta ketë në fushë, pasi tiranasi është vendimtar. Raçiç do të mungojë për një dëmtim të momentit të fundit, ndërkohë që për çështje kartonësh Masato Fukui do ta shohë ndeshjen nga televizori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *