Katër ndeshje, 10 pikë, gjithnjë e më pranë shpëtimit. Kush është trajneri dhe lojtarët që po bëjnë më mirë se kushdo në Kategorinë e Parë
“Kemi gjithsej 80 milionë lekë të vjetra për gjithçka, nga topat gjer te grumbullimet. Merr kë të duash. Duam të shpëtojmë”. Julian Ahmataj u kthye gati tre javë më parë nga Burreli pa asnjë mëdyshje. Mund t’ia dal. Ishte e vështirë sa të duash. Burreli kishte 6 pikë dhe gjendej në vendin e fundit. Merkato e janarit nuk premtonte shumë, ndërkohë që konkurrentët kishin organikë dhe mbështetje. Me kaq para është pothuaj e pamundur të bësh gjëra të rëndësishme. Ahmataj është një nga ata që nuk frikësohet. Sezonin e shkuar mori Besën në një situatë të ngjashme dhe e shpëtoi, ndërsa në pjesën e parë të sezonit punoi me Korabin duke e lënë në vendin e tretë. Por Burreli ishte një sfidë e vërtetë. Ai është një trajner që dëshiron lart, dhe dështimi do ish relativisht një hap mbrapa. Për më tepër Burreli është klub bashkie dhe nuk ka president. Në realitetin e Kategorisë së Parë, presidentët janë shumë të rëndësishëm. Ndoshta më mirë kështu. Mori përgjegjësinë e zgjedhjes së lojtarëve dhe harton vetë deri në detaje çdo gjë, deri te uniformat dhe grumbullimet.
Këtë të shtunë fitoi 2-1 në Pukë. Nuk ishte e thjeshtë, sepse fillimisht shënuan vendasit dhe më pas 2 gola për të bërë përmbysjen e madhe. Në 4 ndeshje janë marrë 10 pikë, madje ka fituar në fushën e vështirë të Kavajës e ka mundur dhe një ekip ekspert në këtë nivel si Besëlidhja. Kush është çelësi i suksesit?
Përzgjedhja e lojtarëve ka qenë e kujdesshme. Osmanllari dhe Ivani erdhën në huazim nga Skënderbeu. Me Osmanllarin ka punuar dhe te Korabi, ashtu sikundër portierin Selaci e ka pasur dhe në Kavajë dhe te Korabi. Levendi erdhi huazim nga Tirana, prej ku erdhi edhe qendërmbrojtësi goleador Johan Beçka, autor i dy golave me vlerë 6 pikë në vitin e ri, ndërkohë që Bërdufi është një lotjar shumë i fortë. Në mesfushë afroi Fejzon, ish-lojtar i Bylisit, 20-vjeçar që në të shkuarën ka mundur pothuaj i vetëm Partizanin në Superiore. Mesfushë e sulm i bën shkëlqyeshëm një lojtar që është gati për Superiore, Majkel Peçi, një që fatkeqësisht nuk ka pasur besimin e duhur nga Tirana.
Burreli është i fortë dhe bën një futboll të mirë. Disa shenja u dhanë në miqësoren kundër Lirisë së Prizrenit në janar. Ndeshja përfundoi 3-1 për të besuarit e Shkëmbit, por pjesa e parë, ajo ku le të themi luajnë titullarët, shkoi në barazim1 1-1. Shkëmbi dhe Ahmataj janë i njëjti brez dhe pas ndeshjes konsumuan një kafe duke kujtuar kohët e vjetra. Kanë të dy një të përbashkët. Karrierën si trajner e kanë nisur nga dera e pasme, me këmbë në tokë dhe me predispozitën për t’u ngjitur.
Në Burrel janë të kënaqur. Një javë më parë në stadium ishin rreth 1500 vetë. Burreli i kishte humbur shpresat për qëndrim në Kategorinë e Parë, ndërsa këtë javë e panë dikë pas, Besën e Kavajës. Kanë marrë 10 pikë në këtë 2018 dhe nuk duan të ndalen këtu. Duan mrekullinë, të shpëtojnë duke qenë në 5 më të mirat para fazës së tretë, aty ku më pas e kanë të paktën të sigurt mbijetesën.
Gjergji Stefa