Agolli hap korsinë “Panuçi” dhe lajmëron lamtumirën!

 

Historia e pabesueshme e kapitenit, prej 12 vjetësh kuqezi, mund të mbyllet pas katër ndeshjeve. “Ansi ka ende energji, më pas do flasim si burra, kur të vijë momenti. “Dy Europiane s’bëhen”

 

Anton Cicani

Gusht 2010… Beqaj, Cana, Agolli, Vangjeli, Dallku, Curri, Skela, Lila, Bulku, Duro, Bogdani, Salihi, Duro, Lika, Hidi, Vrapi, Teli, Hyka… Kjo ishte kombëtarja kuqezi e drejtuar nga Josip Kuzhe në pankinë, që do të përballej ndaj Rumanisë më 3 shtator 2010. Pikërisht 10 ditë më parë kësaj date, Kristian Panuçi varte këpucët në gozhdë dhe mes lotëve deklaronte se kishte ardhur koha që të mos zbriste më në fushë duke rendur pas një topi futbolli, i cili kishte realizuar shumë dëshira dhe ëndrra të futbollistit të lindur në Savona.

Nuk e mendonte atë ditë që, 7 vjet më pas, do të vinte në stolin e Shqipërisë, duke zëvendësuar Xhani de Biazin, bashkëkombësin e tij. Por, sidomos, kurrë s’do të mendonte se pikërisht në kohën kur ai varte këpucët në gozhdë, Jahmir Hyka ishte premtues dhe pjesë e kombëtares kuqezi, ashtu sikurse Andi Lila, ndërsa në mbrojtje ishte Ansi Agolli, ai që dje doli në konferencën për shtyp, përkrah tij… Ishte vetëm 27 vjeç dhe në kulmin e karrierës, mbrojtësi kuqezi në atë periudhë dhe vishte fanellën e Krivbasit. Nuk kishte firmosur ende me Karabakun, që do të bëhej shtëpia e tij e dytë dhe skuadra ku edhe sot vazhdon të jetë idhull dhe frymëzim (arritja në grupet e Champions është qershia mbi tortë).

Besimi – Agolli sot është 34 vjeç, por ende me energji në trupin e tij. Eshtë mbrojtës, ashtu sikurse mister Panuçi, që me shaka thotë se “do të flasim për krahun e majtë të mbrojtjes pas 7 apo 8 vjetësh, kur ta lërë Agolli…”. Sigurisht, janë nota humori, por bëjnë që Ansi të emocionohet. Një e rënë krahëve dhe më pas “përtej humorit, Ansi ka ende energji, kështu që jemi të kënaqur”. Panuçi e di se çfarë do të thotë të largohesh nga kombëtarja, pasi e bëri vetë pas një ndeshje ndaj Spanjës, kundërshtar gjithashtu për t’u përballur në stolin e Shqipërisë. Ishte Europiani 2008 dhe Italia do të dilte në çerekfinale ndaj “demave”.

E teksa Agolli debutonte me Shqipërinë, Kristian Panuçi, trajneri i tij sot, lihej jashtë Botërorin 2006 në Gjermani, pasi Marçelo Lipi vendosi kështu. Panuçi luante me Romën në atë kohë dhe kishte ende energji në këmbët e tij. Por, kështu vendosi Lipi… Ishte muaji i tmerrshëm pas “Calciopoli”-t.

Fundi… – “Unë njëherë luajta në Europjan, dy herë sikur nuk shkon…”. Mjafton një fjali. Ansi Agolli nuk është një “llafazan” mediatik. Preferon veprat, preferon fushën e blertë dhe preferon që të shohë punët e tij. Kur të vijë momenti, do të hapë korsinë e tij, atë që këto pesë vitet e fundit e bllokon me meritë të plotë. E teksa e pyesin për krahasimin De Biazi-Panuçi, tregohet diplomatik: “Nuk mund të bëhen krahasime, De Biazi punoi për rreth 5 vite ne Kombëtare dhe ne e respektojmë. Fituam një eksperiencë mjaft të madhe nga ai trajner, e respektojmë për atë që ka dhënë në Kombëtare. Panuçi ka mënyrën e vet, teoritë e tij, kështu që janë dy trajnerë të ndryshëm që punojnë në dy mënyra të ndryshme. Për një trajner është pak e vështirë me një skuadër të re, ne më të vjetrit, lojtarët më me eksperiencë jemi munduar ta ndihmojmë sa më shumë në këtë periudhë se është edhe java e parë dhe shpresojmë ta kemi bërë sa më mirë punën tonë”.

8 trajnerë – Ansi Agolli ka një rekord më vete në kombëtare. Ka ndërruar 8 trajnerë (aventura nisi në 2005-n, kur Hans Peter Brigel e thërriti për sfidën ndaj Kazakistanit. Më pas, Oto Bariç, Slavko Kovaçiç, Ari Han, Josip Kuzhe, Xhemal Mustedanagiç, Xhani de Biazi dhe Kristian Panuçi. Një eksperiencë që ka pasuruar nga leksionet e këtyre tetë trajnerëve që ka kaluar (me Panuçin sapo ka nisur).

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *