Kaloi një javë nga ngjarja e shëmtuar që ndodhi me Agim Canajn, ndërkohë që ende nga drejtuesit e klubit të futbollit shkodran nuk ka një qëndrim të prerë sa i përket pozicionit të tij në pankinën e skuadrës shkodrane. Canaj u largua nga Shkodra javën e kaluar, menjëherë pas incidentit, duke udhëtuar në drejtim të Anglisë për arsye familjare.
Burime të SportEkspres.com kanë mësuar se të hënën vlonjati nuk ka mbërritur në Tiranë, e më pas në Shkodër për t’u bashkuar me skuadrën, por edhe sot në stërvitjen e pasdites nuk ka qenë në drejtim të skuadrës. Në fakt, kjo ftohje tregon se Canaj e ka menduar mirë dorëheqjen nga stoli i Vllaznisë, edhe pse drejtuesit e klubit dhe Kryetarja e Bashkisë i kërkuan që ai të vazhdonte punën.
Nga vetë trajneri Canaj ende nuk kemi një reagim, por mungesa sot në stërvitje tregon se largimi është real, edhe pse zyrtarisht nga palët nuk ka dalë ndonjë reagim pas seancës së sotme stërvitore. Ajo që e komprometon më shumë këtë mungesë të Agim Canajt sot në skuadrën e Vllaznisë, është fakti se nga drejtuesit e klubit e bashkia, tekniku nuk ka gjetur mbështetjen ligjore, përderisa zyrtarisht nuk është deklaruar për ndonjë kallëzim penal ndaj agresorëve. Ky fakt Canajn e mban edhe më shumë larg nga stoli i Vllaznisë.
AGRON KAJA