Agim Ademi ka dhënë një intervistë së fundmi për “Danas”. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës është shprehur i zhgënjyer nga trajneri i Serbisë që shau nënat shqiptare pasi Vlahovic përmbysi përkohësisht ndeshjen me Zvicrën. Nga ana tjetër, Ademi hedh një ide të rrezikshme për një miqësore Serbi-Kosovë.
“Nuk e prisja që një legjendë si Pixi të shante nënën tonë shqiptare. Ai ishte një legjendë e lojës në Jugosllavi, ne bënim tifo për të derisa jetonim në një shtet të përbashkët, e shijonim driblimin dhe aftësitë e tij, e shikonim drejtpërdrejt edhe në Ligën e Parë të atëhershme.
Shumë shqiptarë nga Kosova e donin atë si futbollist dhe habiten që ai u soll kështu edhe në një ndeshje që nuk ishte kundër Kosovës por ndaj Zvicrës. Futbollistët e Serbisë dhe Kosovës duhet të luajnë një ndeshje miqësore dhe të tregojnë se futbolli dhe sporti i bashkojnë njerëzit, jo t’i ndajnë”, tha Ademi. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/