Afrim Tole: Ky është viti i Partizanit! Merkato? Ka ikur koha e qokave

Ndërsa Kategoria Superiore është pa aktivitet zyrtar, ish-futbollisti i Partizanit dhe i Kombëtares, Afrim Tole, ndërprerjen pas fazës së dytë nuk e sheh pasive te skuadrat. Për SportEkspres.com, Tole deklaron se të gjitha janë treguar aktive në merkato, por edhe stërvitjen e kanë ndërprerë vetëm në tre-katër ditët e vitit të ri. Njëherësh, Tole thekson që renditja aktuale tregon se ky është viti i Partizanit për titullin kampion.

Nisja e pjesës së dytë të sezonit me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, për ish-mbrojtësin e djathtë kuqezi, ky është një start i ri që do të flasë pozitivisht për skuadrat. “Do të ketë ndikim pozitiv për skuadrat. Është një mundësi që të aktivizohen lojtarët e rinj, ata lojtarë që kanë pak minuta nga dy fazat e para, por edhe ata futbollistë që mund të afrohen në merkato”, theksoi në deklarimin e tij Afrim Tole.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në krahasim me sezonin e kaluar, ku mendoni se ka ndryshuar Kategoria Superiore në 18 javët e këtij sezoni?
-Mendoj se më evident është rivaliteti i ekipeve që nuk ishin menduar në këto situata kryesimi. Këtu më shumë kam parasysh Teutën e Durrësit. Njëherësh, ndryshim është edhe fakti se ky kryesim i Partizanit më shumë po tregon se është viti i tij, ndryshe nga sezonet e kaluara.

Si e përshkruani situatën e Kategorisë Superiore, duke ju referuar vetëm renditjes në 18 javë?
-Renditja mendoj se është e saktë dhe skuadrat ndodhen në vendet që i kanë merituar, e këtu e kam fjalën për të dy anët e tabelës. Nëse vazhdohet kështu, Kukësi dhe Teuta do të jenë rivalë me Partizanin për kreun, ndërsa në fundin e renditjes më të rrezikuar shikoj Kastriotin.

Në dy fazat e para kishte elementë të dhunës nga tifozët dhe shumë ndëshkime për ta, si kanë ndikuar këto në lojën e skuadrave?
-Një ndeshje luhet për tifozët dhe ky është një nga drejtimet e misionit të futbollit. Por menaxhimi i tyre ka qenë shumë i dobët, kryesisht nga klubet ku ka patur problematika me ta. Në vazhdimësi duhet të merren masa paraprake, që të mos ketë dënime kolektive të tifozerisë.

Si ka ndikuar performanca e arbitrave në ecurinë e garës së Superiores në 18 javët e luajtura?
-Në 90 ndeshjet që janë luajtur, mund të them se kemi patur 90 arbitrime të ndryshme. Ka gjykime të mira e normale, por ka patur edhe gabime, për të cilët duhet parë më shumë se sa me justifikimin se janë “njerëzore”. Arbitrat duhet të kenë më shumë stabilitet në gjykimet e tyre.

Në këtë periudhë pa aktivitet zyrtar, si mendoni se duhet të veprojnë drejtuesit e trajnerët me skuadrat?
-Kjo është një kohë e limituar, që të kushtëzon një program shumë të detajuar. Çdo ekip ka nevojë për merkato, por nuk duhet të shohim dështime si në sezonet e kaluara. Vetë ata dhe koha në futboll kërkojnë merkato me lojtarë cilësorë, jo me “qoka” që ngrohin stolin.

Gjysma e dytë e këtij sezoni nis me Kupën e Shqipërisë, si e mendoni këtë ndryshim kalendari?
-Nisja e gjysmës së dytë të sezonit me ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, besoj se do të ketë ndikim pozitiv për skuadrat. Është një mundësi që të aktivizohen lojtarët e rinj, ata lojtarë që kanë pak minuta nga dy fazat e para, por edhe ata futbollistë që mund të afrohen në merkaton e janarit.

Si e parashikoni ecurinë në garës në gjysmën e dytë të këtij sezoni?
-Do të jetë një garë shumë e vështirë për të gjitha skuadrat e Superiores. Historikisht, rivaliteti ka qenë evident te të gjitha skuadrat, kryesisht në krye dhe në fundin e renditjes. Ndërsa për mesin e tabelës do të thoja se aty ka patur skuadra që kanë dalë jashtë arritjes së objektivave të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *