Shaqir Tafa dhe Albion Ademi, mbrojtësi dhe sulmuesi i Shpresave, dolën në konferencë për shtyp para ndeshjes me Spanjën që luhet të enjten në stadiumin “Selman Stërmasi”. I pari e mori fjalën Tafa, i cili tregoi se atmosfera në ekip është e mirë.
“Ambienti është shumë i mirë, skuadra është e plotë. Objektivi është fitorja, si gjithmonë. Do jetë ndeshje e fortë, por duhet të kemi durim pasi Spanja është e fortë. Kemi luajtur edhe atje, por rezultati nuk është real. Kjo pasi luajtëm mirë, patëm raste dhe pak fat. Uroj ta kemi fatin me vete”.
Kundër Spanjës do të duhet që Shqipëria të bëjë mirë në prapavijë: “Ana mbrojtëse do të jetë shumë e rëndësishme ndaj Spanjës, besoj se do luajmë shumë mirë taktikisht. Po t’u lësh hapësira është problem, pasi janë të mirë në pasime dhe goditje. Taktikisht duhet të jemi perfekt”.
Janë disa lojtarë që nuk kanë pasur minuta në ekipet e tyre dhe kjo komentohet edhe nga Tafa: “Minutat në këmbë nuk është se i kemi shumë prej lojtarëve. Ky është një problem që dihet. Por mendoj se nëse i gjithë ekipi mendon se është mirë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Edhe unë vetë nuk kam luajtur shumë këto ndeshje, por jam i gëzuar dhe i gatshëm të luaj”.
Në fund, ekipi kombëtar A në fokus: “Është ëndërr të shkosh tek ekipi A. Aty ka mbrojtës të mirë. Për momentin po mendoj për ekipin Shpresa, pastaj të shohim. Po bëra mirë këtu, do të ketë mundësi edhe për mua. I njoh ata që vijnë nga Italia, Veselin, Ajetin dhe Mavrajn që më pëlqen shumë. Të shohim, të shkojmë mirë këto dy ndeshje. Ka kohë për ekipin e parë”.
ALBION ADEMI – Sulmuesi, i cili luan për Inter Turkun në Finlandë, flet para ndeshjes me Spanjën. “Atmosfera është e emirë, objektivi është të fitojmë dhe ta luajmë sikurse na ka kërkuar trajneri. Normal do mbrojmë më shumë. Të luajmë si grup dhe kur të na vijë momenti do të kundërsulmojmë”.
Më tej ai tregon se Shqipëria ka qenë zgjedhje e parë: “Kam pasur dëshirë të luaj për Shqipërinë, kam folur me trajnerin shumë herë dhe doja të vija. Unë dua të luaj për vendin tim. Kombëtarja A? Është e vështirë të shkosh te kombëtarja e madhe. Duhet të luaj mirë në Finlandë dhe me Shpresat”.