Ishte ylli iu madh i Shqipërisë U-21, që fitoi mbrëmë 3-2 në Islandë, kundër një rivali të frikshëm. Kristal Abazaj shënoi 2 gola e mori pjesë te goli i tretë, duke bërë në një mbrëmje aq sa kishte bërë gjithë sezonin e shkuar te Luftëtari, kur shënoi 3 gola në 33 ndeshje kampionati. Ylli i Luftëtarit po tregon se është gati për një hap të madh, për të luajtur në kupat e Europës e më pas të tentojë aventurën jashtë Shqipërie, por po i hedh hapat një nga një, zgjedhje që po shpërblehet. Për “Sport Ekspres”, pas ndeshjes sulmuesi i talentuar dha një intervistë të shkurtër, ku foli për ndeshjen e djeshme, emocionet e fitores së bukur dhe përkushtimin e golave…
– Dy gola me Shpresat në një fushë të vështirë, si ndihesh?
– Super i lumtur. Kisha shumë besim se në këtë ndeshje do të zhbllokohesha dhe ndodhi, më në fund.
– Kujt ia dedikon?
– Familjes dhe shokëve të skuadrës, që më bëjnë të ndihem mjaft mirë.
– Mendon se këta gola shlyejnë disi gabimin ndaj Estonisë, në “Elbasan Arena”?
– Besoj se po, por nuk duhet të kthejmë kokën mbrapa, por të shohim përpara.
– Je përmirësuar me Bushin dhe çfarë të ka dhënë më shumë?
– Profesori transmeton grintë, shpirt gare dhe na jep shumë besim.
– Jeni një kombëtare me shumë elementë cilësorë, por megjithatë nuk keni marrë pikët që priteshin. Si e shpjegon, mungesë përvoje apo…
– Mendoj se është mungesë fati, sepse në dy ndeshjet e shkuara kemi bërë super paraqitje.
– A mendon se ky brez, së shpejti, do të jetë gati për kombëtaren e madhe, nisur edhe nga fakti që Panuçi ju ka nën vëmendje?
– Sigurisht që po. Ka lojtarë mjaft të mirë, s’mund të them më shumë se kaq.
– Dëshira jote për kombëtaren e madhe është e madhe ashtu sikurse edhe e ëndërron. Mendon se së shpejti do të jepet mundësia?
– Normal që kam ëndërr, do të punoj fort që ta realizoj.
– Të kthehemi te paraqitjet e tua. Jemi në ditët e fundit të merkatos. Do të lëvizësh?
– Jo, do të qëndroj në Gjirokastër.
– Ke pasur oferta?
– Por, s’më kanë kënaqur si mua, ashtu edhe klubin
– Sa afër Partizanit ishe?
– Shumë afër, por s’u bë gjë
– Motivi?
– Nuk deshi presidenti.