Gjergj Stefa
Klubet e Kosovës u prezantuan për here të parë në kupat e Europës, disa prej tyre po i hedhin sytë nga Shqipëria – shiko “armatën” e Superiores te Liria e Shkëmbit – Shkëndija është shndërruar në një markë në rajon, në Maqedoni shqiptarët janë gjithnjë e më shumë faktor, ndërsa në Mal të Zi gjithsesi Otranto e Ulqinit mundohet te mbijetojë. A ka ardhur momenti që të kemi një ligë mbarëshqiptare? OK, një ligë e madhe nuk mund të realizohet. Sportivisht do ishte gabim. Kështu klubet kanë më shumë të ardhura.
Por një ligë që edhe nëse nuk të dërgon në Europë, e financuar dhe madje me shpërblime te majme financiare nga shteti shqiptar, do ishte një gjë shumë interesante. Një lloj Champions League e shqiptarëve.
Sigurisht që kostot mund dhe duhet te jenë të larta. Nëse nuk do kishte mbulim te shpenzimeve për klubet dhe shpërblime për fituesit, nuk do kishte asnjë vlerë dhe as impenjim.
Sa mund të duhen? Jo më shumë se 2 milionë euro ne total. A nuk janë shume pak për buxhetin e një shteti që promovimin e një sporti mbarë kombëtar duhet ta ketë prioritet dhe mision?
Imagjinoni një Champions League ku luhet në gjithë shqiptarinë. Momenti ka ardhur natyrshëm. Nuk është vetëm gjeopolitikë. Është sport i pastër. Kampionate më vete dhe një kupë e madhe e përbashkët.