A do të mbështesë Federata kompleksin e Partizanit? Armand Duka përgjigjet para fillimit të Superiores

0

Armand Duka ka folur në një lidhje direkte për “Sport News Plus” që transmetohet në “News24” në prag të rinisjes së Superiores. Kreu i FSHF ka treguar edhe periudhën e vështirë të kaluar për shkakun e Koronavirusit.

Gjithashtu ka pasur edhe një përgjigje për pyetjen e ngritur në studio, njëkohësisht një kërkesë e ardhur edhe nga ana e presidentit të Partizanit, Gaz Demi. Ky i fundit ka kërkuar një mbështetje financiare nga ana e FSHF-së, sa i përket kompleksit të ri që po ndërtohet, ku drejtuesi i të kuqëve nuk ka ngurruar që ta etiketojë si investimin më të madh në Ballkan.

“Ne nuk kemi pasur një mungesë të bashkëpunimit gjatë kohës së pandemisë. Bashkëpunimi ka qenë prezent nga ana jonë. Gjithashtu edhe me Qeverinë është vendosur që kampionati të nisë në 3 qershor. Nuk mund të them nëse kampionati mund të niste më shpejt apo më vonë, pasi nuk jam specialist. Këtë gjë e dinë ata që masin rrezikun potencial të virusit. Ajo që më vjen keq është mënyra e sjelljes së Qeverisë me sportin për pagesën e mohuar. Por më vonë kuptova që ka pasur një reflektim nga ana e tyre kundrejt sjelljes së bërë, megjithëse nuk është bashkangjitur me një reflektim ekonomik. Politikanët janë ata që krenohen me sportistët kur kemi arritje në futbollin tonë.

Në këndvështrimin tonë, rikthimi i futbollit nuk është rikthimi i përfundimit të kampionatit. Ne nuk jemi në nivelin e Italisë apo Gjermanisë. Nuk ka qenë kjo arsyeja kryesore për t’u rikthyer. Arsyeja kryesore ka qenë forma sportive e sportistëve. Virusi ka qenë dashamirës me ne, nuk kishte pse i dëmtonim futbollistët.

Për sa i përket tamponëve, nuk është se nuk kemi dashur ne. Kështu është arsyetuar, kështu është gjykuar nga Ministria. Tamponë do bëhet vetëm kur futbollistët të jenë me temperaturë. Nuk është se ne e kemi shmangur. Jeta e njeriut është më e rëndësishme. Nuk jemi rikthyer në kampionat thjesht për klasifikim, sepse ai ekzistonte. Është i rëndësishëm diskutimi për mbrojtjen e shëndetit të njerëzimit. Kam dëgjuar se protokollet janë të pamundura. Janë të të gjitha të mundura. Nëse kemi vullnet dhe dëshirë është i zbatueshëm. Duhet minimizuar dhe eliminuar çdo lloj risku.

Klubet shqiptare nuk kanë një qendrueshmëri solide në aspektin financiar. Kemi parë shumë herë probleme në pagesat e lojtarëve dhe situata të tilla. Ne duhet të respektojmë rregullat dhe të shohim me vëmendje kriteret e licencimit. Nëse e bëjmë këtë gjë, atëherë do të evitojmë edhe shumë problematika të këtij lloji.

Partizani mund të jetë pjesë e projekteve të investimeve. Federata ka financuar Partizanin në fushat e vjetra ku ka qenë. Në këtë kompleks të ri që është ndërtuar nga ana e kësaj skuadre, padyshim që ne mund të jemi pjesë e investimeve, ashtu si edhe në të tjerat”, ka thënë Armand Duka. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.