VIDEO/ E pabesueshme ajo që ndodh te Elbasani-Vllaznia! Martini ironizon për VAR-in, por goli i fitores anulohet…vërtetë!

Shumë emocione janë dhuruar në ndeshjet e sotme të Superiores, në takimet mes Elbasani-Vllaznia dhe Partizani-Laci. Kurbinasit shënuan të parët me anë të Bibos në minutën e 7 të takimit, ndërsa në të 75, i njëjti autor, shënoi edhe golin e dytë. Ndërkohë për të ngushtuar diferencat mendoi Aliu te Partizani në minutat e shtesës, në një gol statistike.

Nga krahu tjetër drama e vërtetë ndodhi te Elbasani-Vllaznia. Murataj shënoi golin e parë në minutën e 18 për shkodranët, ndërsa Hebaj barazoi në të 75. Drama e vërtetë ndodhi në fund, atje ku në të 88, Tafili shënoi gol për Vllazninë.

Pasi VAR hyri dhe pati ndërprerje të lojës, goli do të anullohej për pozicion jashtë loje. Martini u irritua shumë për këtë vendim dhe nuk ishte dakort me gjyqtarët. Megjithatë loja vazhdoi dhe në të 94, Musta shënoi golin e fitores.

Festa shpërtheu dhe Martini hyri në fushë duke bërë me ironi shenjën e VAR, për t’i treguar arbitrave që ta shikonin edhe këtë gol në VAR, i sigurt se goli ishte i rregullt. Arbitri do ta nxirrte me karton të kuq për këtë veprim, por ajo që ishte më dramatikja ishte fakti se VAR-i hyri vërtetë dhe madje do ta anulonte golin për pozicion jashtë loje. /Sport Ekspres/