Shorti nuk i buzëqesh Dinamos për Play Off-in e Conference League, Ilir Daja duhet të bëj çmendurinë për të hyrë në grupe

Dinamo City ka mësuar kundërshtarin e mundshëm në fazën “play-off” të UEFA Conference League, por për të arritur deri aty duhet fillimisht të eliminojë Auda në raundin e tretë kualifikues. Nëse skuadra shqiptare arrin të kalojë letonezët, atëherë në fazën vendimtare për një vend në ligën e Konferencës do të përballet me humbësin e çiftit mes Pafos të Qipros dhe Red Bull Salzburg të Austrisë.

Ky është padyshim një short shumë i vështirë për Dinamon. Red Bull Salzburg është një nga klubet më të forta në Austri dhe me përvojë të madhe në arenën europiane, ndërsa edhe Pafos ka treguar rritje të konsiderueshme vitet e fundit, duke investuar fuqishëm dhe duke qenë një rival mjaft konkurrues në kupat e Europës.

Megjithatë, para se të mendojë për “play-off”-in, Dinamo duhet të përqendrohet te sfida ndaj Auda, një përballje që do të jetë vendimtare për vazhdimin e aventurës europiane. Vetëm në rast kualifikimi, bardheblutë do të kenë mundësinë të luftojnë për një biletë historike drejt fazës së ligës së UEFA Conference League.

Edhe pse shorti nuk ka qenë aspak i favorshëm, futbolli ka treguar shpesh se surprizat janë të mundshme. Dinamo do të synojë të bëjë maksimumin në dy sfidat ndaj Auda dhe më pas të tentojë një tjetër sukses, pavarësisht emrit të madh të kundërshtarit që mund ta presë në “play-off”. /Sport Ekspres/