Dy botë të ndryshme/ Në Fier praktikojnë magjinë edhe në sport, çiklisti që jep leksione…basketbolli!

E ndërsa Kryeministri Rama i ka shpallur luftë nepotizmit në administratën publike, në Fier ndodh e kundërta. Në çdo institucion publik e sidomos në klubin shumë sportësh ¨Apollonia¨ rrogat, shpërblimet, karburanti e deri te honoraret e sportistëve shkojnë në “drejtime të paditura”. Prej më shumë se një muaji jemi duke parë nga afër kushtet në të cilat stërviten sportistë të ndryshëm e si trajtohen ata. Jemi në mesjetë kjo është pak, por e sigurt, kur bëhet fjalë për sportet e rënda të cilat nuk kanë asnjë kriter minimal për të qenë ambiente sportive. Tapete të kalbura, ambiente te ftohta me lageshtirë ku ndonjëherë mungojnë edhe dritaret, tualete të cilat të duken sikur kanë dalë nga skenat e filmit ¨Të Mjerët¨ e Hygoit. Cdo gjë është ulëritëse sa që mendojmë se çfarë ndodh me buxhetin që qeveria akordon çdo vit për sportin, 400 million lekë? Sigurisht që asnjëherë nuk do ishte i mjaftueshëm, por Bashkia Fier merr një shumë të konsiderueshme dhe këtu nis një kalvar i padrejtë. Cdo sy e vesh në administrimin e sportit shkon per klubin e Basketbollit ‘Apollonia’, deri ketu duket sikur nuk ka asgjë të keqe, por e vërteta është tronditese. Pas shumë vitesh më në fund sportistët e Fierit kanë një pallat sporti te ri, por ai është bërë mollë e ndaluar për ekipet e tjera.

Si parantezë, në kampionatin Shqiptar të Basketbollit Fieri nuk përfaqësohet vetëm nga ky ekip, por dhe nga disa të tjerë të cilët trajtohen si klube te huaja dhe iu mbyllen dyert për seancat stërvitore . Madje kjo gjë shkon deri atje, ku nën zë administratorët e këtij pallati sporti kanë vendosur tarifa të ndryshme në para për ata që kërkojnë të sterviten në këtë ambient ose te zhvillojnë ndeshjet e kampionatit. A është në dijeni Federata e Basketbollit për gjithë këtë? Sepse e keqja më e madhe ndodh kur i ferkojmë kokën një ekipi i cili prej vitesh nuk sjell asnjë trofe në këtë qytet. Pra ekipet e tjera me sakrifica të mëdha vazhdojnë të luajnë jashtë qytetit te Fierit dhe Apollonia vazhdon të vegjetojë pa asnjë rezultat.

Ecim më tej në korridoret me myk të sporteve të rënda, bisedojmë me disa familjarë qe me keqardhje na thonë se fëmija e tyre është dëmtuar dhe sëmurë disa herë për shkak të ambientit ku ai stërvitet. Aty pranë shikojmë disa të rinj që stërviten me rrobat e tyre, nuk kanë asnjë uniformë sepse edhe pse sponsorat ua kanë mundesuar, prapë diçka nuk shkon me administrimin. Në një rrëfim për Sport Ekspres një ish sportist i klubit shumë sportësh Apollonia na rrëfen çfarë ndodh pas dyerve të administratës së këtij klubi. Nuk dua ta identifikoj personin i cili qëndron përpara meje sepse do ti kushtonte ‘bukën e fëmijëve’ siç e thote vetë ai, pasi mund të flaket në rrugë fare lehtë. Ai na tregon fakte skandaloze dhe kur i vërtetuam ngelëm të shokuar. Në gërmimet tona në zyrat e Bashkisë dhe administratës të klubit Apollonia shohim njëanshmëri në mënyrën si ndahet buxheti. Mjafton të shihni kontrastin e fotove dhe të kuptoni se si shkojnë gjërat në këtë vend.

Foto ku stërvitet ekipi i administratorit

Foto ku stërviten ekipet e tjera

Te klubi i Basktbollit Apollonia shkon shuma më madhe, pra rreth 60%, te sportet e rënda si boksi, peshëngritja, mundja etj nuk investohet fare dhe 40% e shumës tjetër nuk dihet se ku shkon. Te basketbolli biletat, honoraret u faturohen sportistëve te rrogat e tyre. Ne bordorot e pagave trajneri aktual i klubit të basketbollit Apollonia rezulton se ka nje pagë maramendese, megjithëse thuhet se ajo që përfiton në të vërtet…

Në Fier klubi shumë sportësh Apollonia ka shumë sponsora, por të ardhurat e tyre nuk figurojnë asgjëkundi. Sponsorat afrohen kontribuojnë në uniforma dhe mjete te ndryshme sportive, por e vërteta është që ekipeve zinxhir të moshave detyrohen t’i blejnë ato me para në dorë. Ka sportistë që paguhen 30-35 mijë lekë por nuk rezultojnë në asnjë bordero fiktive. Ajo pastaj që të habit është firma e administratorit për pagën e majme të bashkëshortes së tij, e cila merr dy rroga për dy ekipe që drejton, por rezultatet janë për t’u harruar. Në kohën që Kryeministri Edi Rama kërkoi dorëheqjen e shumë punojësve të Bashkive në vende të ndryshme, administratori Palion Zarka e paraqiti dorëheqjen, por nuk u largua në asnjë ditë nga zyra, madje e përdor vulën e tij për çdo lëvizje të klubit.

E si për të mos mjaftuar e gjithë kjo, ekipe si ato të ciklizmit ku dhe këtu nepotizmi është ulur këmbëkryq në letra figuron si buxhet për 10 sportistë, por në fakt ata nuk egzistojnë. Njerëz të besuar të personave me pozitë, furrnizohen çdo muaj me naftë, vlera e të cilës përkthehet ne 4 million lekë te vjetra. Pra ne Fier bashkia jep shpirtin për basketbollin sidomos për ekipin qe drejtohet nga bashkëshortja e administratorit, dhe për administratorin që na figuron të jetë edhe presidenti i shoqatës së Apollonia Basket për meshkuj. E në fakt nuk duhet të habitemi me Fierin dhe bashkinë e këtij vendi pasi në nëntorin e vitit të kaluar si një rast i pa precedent, kryetari Subashi dhe vartësit e tij i rritën si pa të keq rrogën vetes sepse punonin shumë dhe paga nuk e justifikonte mundin e tyre.

Një ciklist që drejton basketbollin

Tani imagjinoni sikur të na jetë prishur makina e të shkojmë ta rregullojmë te hidrauliku. E di, është për të qeshur e për te qarë, por në këtë qytet duhet të jemi përgatitur për cdo gjë. Në c’vend të botës keni parë e dëgjuar që një ish ciklist administron një klub basketbolli dhe nga ana tjetër njihet si president i shoqatës së një tjetër klubi si Apollonia Basket per meshkuj? Në krye të një klubi mund të vendoset cdo kush që ka të kaluar sportive, por jo të jetë njëkohësisht edhe presidenti i Shoqatës Apolonia Basket për meshkuj dhe të përdor të njëjtin NIPT, atë të klubit, që është totalisht në varësi të Bashkisë. Bashkia Fier i ka të qarta këto gjëra, por nuk i intereson të ndryshojë asgjë për sa kohë kampionati shqiptar i Basketbollit kuotohet në baste në Kinë.

Letër e hapur për Ina Zarkën

Ju lutem, lejoni sportistet që të stërviten në pallatin e sportit dhe t’i luajnë ndeshjet aty. Nuk kanë rëndësi projektet që bëni për të afruar vajzat drejt basketbollit, janë projekte që nuk shërbejnë asgjë, për sa kohë nuk i lejoni në pallatin e sportit. është koha për të punuar, jashtë fasadave. Një ish lojtare e mirë jo domosdoshmërisht mund të jetë edhe një trajnere e mirë, të gjithë kemi vend për të përmirësuar nga gabimet tona, është koha të dëgjoni më shumë këshilla.

Volejbolli pa vëmendje

Dy fjalë edhe për volejbollin në Fier që është katandisur në mëshirë të fatit. Ekzistojnë tre ekipe volejbolli për hir të vërtetës U20, U18, U16 dhe nuk kanë një paraqitje të keqe por kjo falë një trajneri dhe një figure që punon me pasion për këtë sport. Megjithatë as volejbolli nuk shkel dot në një pallat sporti i cili është ndërtuar nga taksapaguesit fierak.

Madje volejbollin administratori Zarka e drejton nga palestrat e shkollave, sepse në pallatin e ri të sportit ka vend vetëm për ekipin që ai drejton si president për sportistët e tij amerikan që nuk dihet çfarë kontratash nënshkruajnë. Ndërkohë këto ditë në kryeqytet pamë një shfaqje të shëmtuar, të zhvilluar pikërisht nga Federata Shqptare e Volejbollit dhe KOKSH me rastin e 80-vjetorit të kësaj Federate dhe nuk iu dha asnjë zë gjithë peripecive që po kalon volejbolli në këtë vend. U fol vetëm për arritje të mëdha që për hir të vërtetës i perkasin vetëm të shkuarës në këtë disiplinë dhe pikërisht e shkuara e këtij sporti u la në harresë.

Nuk pati një minutë heshtje në nder të gjithë figurave që na përfaqsojnë në këtë sport elitar. Kujtojmë që vetëm pak kohë më parë ne humbëm një nga figurat më të mëdha të volejbollit mjeshtrin dhe ¨Nderin e Kombit¨ Vangjel Koja. Dhe këtu më vjen ndër mend një shprehje e fashme e Winston Churchill që thotë: ¨Nje komb që harron të kaluarën e tij është i destinuar të mos ketë të ardhme”. E për sa i përket spektaklit të kësaj mbrëmje gala qe nuk pati asgjë për të qenë e tillë, më vjen natyrshëm t’i drejtohem FSHV, KOKSH dhe presidentit Erlind Pëllumbi ktheni vëmendjen nga kaluara e ardhmja dhe sidomos nga brezat e rinj dhe lërini mbrëmjet gala për Armando Dukën. Ai di të organizojë mbrëmje gala dhe të nderojë sic duhet të shkuarën e të ardhmen e një sporti popullor sic eshte futbolli. Me pak fjalë 80-vjetori i FSHV-se ishte një mbledhje e pështirë në acarin e ¨Akademisë së Arteve¨ ku veteranëve iu bë e qartë sa e ftohtë dhe e ngrirë është e marrëdhënia e tyre me këtë institucion. /Sport Ekspres/