Dinamo dhe Teuta kanë zhvilluar sot ndeshjen e prapambetur mes tyre në “Abissnet Superiore”. Dueli i luajtur në “Air Albania” ka përfunduar me rezultatin minimal 1-0 në favor të nëndetëses blu. Ndeshja ishte në baraspeshë 0-0 deri në minutën e 93-të, atëherë kur Denisoni gëzoi tifozët e pranishëm në stadium me një gol të çmendur që do e kishin zili edhe lojtarë me emër. Tre pik mjaft të vlefshme për Dinamon, që tashmë ka hyrë në “vallen” e titullit kampion.
Dinamovitët kanë kaluar Skënderbeun me pikë (42 të tilla) dhe i kanë rrëmbyer vendin e katërt në renditje. Një pozicion ky që e mban në garë për titullin, pasi 4 skuadrat e para në tabelën e klasifikimit do të përballen mes tyre për të përcaktuar fituesin e këtij sezoni të “Abissnet Superiore”-s. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisioni “Skaner Superiore” në “MCN TV”.
Mehmeti (Dinamo): “Në futboll nuk ka besëtytni. Ne kemi fituar edhe kur ka qenë presidenti në tribunë. Një ndeshje e tillë në këtë pikë të kampionatit, kur tensioni është në maksimum dhe të dyja skaudrat duan fitoren, mund të bjerë pak niveli i lojës. E dija që do ta kishim të vësthrië, sepse Teuta ka një mënyrë të veçantë në manovrën sulmuese. Kishte shumë dyluftime të forta. Mu duk si një ndeshje e futbollit anglez.
Në këtë pikë të kampionatit çdo rezultat pozitiv është i rëndësishëm. Megjithatë, fitorja është qershia mbi tortë dhe të jep më shumë qetësi. Jemi më të lumtur me fitoren. Unë nuk besoj te fati. Denisoni kishte besim te goditja e tij. E goditi dhe shkoi topi aty ku duhej. Kjo ishte një ndeshje me shumë tension dhe nuk mund të dominosh gjatë gjithë kohës. Edhe Teuta vinte nga një moment i mirë. E kam thënë që në kampionat nuk ka shumë diferenca”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/